A është e vërtetë që grekët e lashtë nuk i perceptonin të gjitha ngjyrat? Kjo rrëfenjë fillon me një udhëheqës anglez liberal dhe hulumtimin e tij risues të ngjyrës blu.
S’bëhet fjalë për Nick Clegg-un dhe Torët, por për William Gladstone dhe shqetësimin e tij për përdorimin e ngjyrës prej Homerit tek Iliada dhe Odisea.
Gladstone ishte intelektuali i parë i shquar që vuri re diçka të çuditshme me perceptimin e ngjyrës prej poetit grek. Homeri nuk e përshkroi kurrë qiellin si “blu”. Në të vërtetë, Homeri rrallë i përdorte fjalët që përcaktojnë ngjyrat dhe kur e bëri ato ishin thjesht të çuditshme. Deti ishte “i manushaqtë”. Qetë ishin gjithashtu “të manushaqtë”. Kurse, për Gladstonein, deti dhe qetë nuk mund të kishin kurrsesi të njëjtën ngjyrë. Shpjegimi i tij ishte që grekët e lashtë nuk kishin zhvilluar aftësinë e perceptimit të ngjyrave, dhe kësisoj e shihnin botën bardh e zi vetëm me një vizë lidhëse të kuqe.
Interesi prej studiuesi i Guy Deutscher-t për syrin Homerik nuk përqendrohet tek zhvillimi apo optika por tek gjuhësia. A mund ta shohim diçka për të cilën s’kemi fjalë për ta përshkruar? Po. Grekët ishin në gjendje të dallonin nuancat e blusë po aq mirë sa ne mundemi tani, pavarësisht se mungonte një fjalor i veçantë për to. Megjithatë, shkruan studiuesi Deutscher, edhe pse Gladstone e kishte gabim në lidhje me aftësinë e perceptimit të ngjyrave që kishin grekët, gjurmimi i tij për shfaqjen e fjalëve që përcaktonin ngjyrat ishte: “aq i mprehtë dhe largpamës sa shumica e asaj që shkroi … vështirë se mund të tejkalohet sot. Doli se nuk ishin vetëm grekët e lashtë që nuk thanë kurrë se qielli ishte blu. Asnjëra nga gjuhët e lashta nuk kishte një fjalë të duhur për ngjyrën blu. Ajo që ne tani e quajmë “blu” një herë e një kohë ishte pejsë e fjalëve të vjetra për të zezën ose për jeshilen.
(Në fakt, kjo është arsyeja pse në Japoni dritat jeshile janë në të vërtetë një nuancë më e butë e jeshiles sesa në pjesën tjetër të botës. Fjala e përdorur për jeshilen e semaforëve është ao, që dikur kishte kuptimin e “jeshiles dhe blusë” por tani do të thotë blu. Në vend që të ndryshonin fjalën, ata ndryshuan ngjyrën.) Deutscher argëtohet shumë duke e lidhur zbulimin e fjalëve që përcaktojnë ngjyrat me shfaqjen e tyre në të gjitha gjuhët sipas një rendi të parashikueshëm. E zeza dhe e bardha përdoren së pari si fjalë, pastaj e kuqja, pastaj e verdha, pastaj jeshilja dhe në fund bluja. (Megjithëse ndonjëherë jeshilja del para së verdhës.) E kuqja është shfaqur ndoshta e para sepse është ngjyra e gjakut dhe është nga ngjyrat më të lehta për t’u dalluar. Jeshilja dhe e verdha janë ngjyrat e bimësisë. Dhe bluja është e fundit sepse, me përjashtim të qiellit, pak gjëra të natyrshme janë blu dhe boja blu është më e vështira për t’u bërë. Deutscher-it i duhet gjysma e librit për të treguar historinë e ngjyrës blu, dhe megjithëse e shkruar në mënyrë magjepsëse dhe bukur, diskutimi përbën shmangie nga ajo që ai vërtetë do të shtjelloj, fakti që gjuha mund të ndikojë në mënyrën se si e perceptojmë botën.
A është e mundur që dy njerëz të mendojnë ndryshe për botën thjesht nga ndikimi që ka gjuha që ata flasin? Deutscher-i beson se po, dhe jep tre shembuj: Guugu Yimithirr është gjuhë vendase australiane e cila na ka dhënë fjalën “kangur” por kjo gjuhë nuk ka fjalë për “majtas” dhe “djathtas”. Në vend të kësaj, të gjitha drejtimet jepen sipas vendndodhjes së folësit në lidhje me pikat e horizonit që tregon busulla. Eksperimentet kanë treguar se folësit e Guugu Yimithirr-it kanë “intonacion të përsosur për të treguar drejtimin”, pavarësisht nga kushtet e shikimit, nëse rrinë në vend apo janë në lëvizje, ata e dinë se nga është veriu. Ky është shembulli më i mrekullueshëm, thotë Deutscher, se si shprehitë e të folurit mund të kenë pasoja që shkojnë përtej të folurit, pasi ato ndikojnë në aftësitë e orientimit dhe madje edhe modelet e kujtesës.
Së dyti, ai argumenton se sistemet gjinore mund “të ushtrojnë ndikim të fuqishëm në shoqërizimet mendore të folësve”. Folësve spanjollë dhe gjermanë iu kërkua të mësojnë përmendësh, në anglisht, emrat e njëzetë e katër objekteve duke e shoqëruar emrin e një personi me atë objekt. Rezultatet treguan se e kujtonin më shumë objektin kur emri përputhej me gjininë e fjalës në gjuhën e tyre amtare. Kështu, një spanjoll e kishte më të lehtë të kujtonte një mollë nëse quhej Patricia (la manzana është gjinia femërore), dhe një gjerman nëse molla quhej Patrick (der Apfel është gjinia mashkullore).
Shembulli i tretë është me ngjyrën blu. Rusishtja ka një fjalë për blu e çelur – goluboy – dhe një fjalë për blu të errët – siniy. Në disa teste folësit rusë ishin më të shpejtë në dallimin e disa nuancave blu sesa folësit anglezë. Përfundimi i Deutscher-it është se “në fund të fundit, folësit e gjuhëve të ndryshme mund t’i perceptojnë ngjyrat pak më ndryshe”. Nga këto tre shembuj, vetëm i pari dukej i rëndësishëm. Aftësia për të ditur se nga cili kah është veriu në çdo kohë, madje edhe në errësirë, është aftësi e jashtëzakonshme që gjen zbatime të dobishme. Dy shembujt e tjerë treguan, më së paku, se gjuha pak ka efekt në perceptim pasi eksperimentet dukeshin të stërholluara dhe rezultatet ishin jo domethënëse. Në hyrjen e studimit, Deutscher-i shkruan se psikologë dhe gjuhëtarë shumë të respektuar mendojnë se ndikimi i gjuhës tonë amtare në mënyrën se si ne mendojmë është e papërfillshme, ose e parëndësishme.
Libri i tij është përpjekje për të treguar se ata e kanë gabim. Por përveç gjuhës Guugu Yimithirr, stili i jetës së folësve të së cilës është kaq i ndryshëm nga i yni, gjithsesi, Deutscher-i nuk më ka bindur vërtet se gjuha ka shumë efekt në perceptim, të paktën jo në ndonjë mënyrë të habitshme ose, siç mëton ai, “tronditëse”. Sidoqoftë, nga ky libër studimor mësova shumë gjëra interesante dhe fakti që është shkruar bukur e bëri leximin një përvojë të këndshme.
Përktheu: Granit Zela
Top Channel