Reshje dëbore edhe gjatë natës/ E diela vjen e ngrirë në 95% të vendit

14/02/2021 02:37

Surpriza më e madhe e së shtunës ishte bora që zbardhi plotësisht Elbasanin e ku trashësia në qytet arriti në 20 cm. Fshatrat kanë nisur të bllokohen pasi trashësia e dëborës ka arritur në 50 cm.

Dhjetëra fshatra të Elbasanit, Librazhdit e Gramshit janë pa energji elektrike për shkak të defekteve të shkaktuara nga stuhia e fortë e erës dhe dëborës.

Të gjithë akset nacionale në qarkun e Korçës kalohen vetëm me zinxhirë. Në rrugën Qafë Thanë-Pogradec-Plloçë pati bllokime të rrugës si pasojë e rrëshqitjes së automjeteve. Po ashtu me zinxhirë kalohen edhe akset që lidhin Korçën me Qafë Plloçën, Kapshticën, Dardhën, Voskopojën e Ersekën. Në Voskopojë e Dardhë dëbora i ka kaluar 40 cm, në Vithkuq 70 cm dhe në Mashkullorë drejt Panaritit ka 1.5 m dëborë.

Bora e parë mbuloi edhe qytetin bregdetar të Durrësit. Ulja e temperaturave e shoqëruar nga era e fortë bëri që tragetet e linjës Durrës- Bari të ndryshojnë orarin, duke u nisur rreth 10 orë para grafikut të lundrimeve, në orën 13.00 të së shtunës.

Shërbimi Meteoalb njoftoi se gjatë natës pritet që sipas zonave, bora të krijojë një shtresë prej 2-10 cm në qarqet Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat ndërsa 25-40 cm borë në zonat malore veriore dhe 30-50 cm borë në zonat malore jugore dhe kryesisht në zonat juglindore.

Top Channel