Xhaçka takon homolugun hungarez: Integrimi i rajonit forcon sigurinë e BE

12/02/2021 11:59

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili zhvilloi një vizitë një-ditore në Shqipëri.

Dy ministrat evidentuan detyrimet e përmbushura nga Shqipëria dhe ndanë të njëjtin mendim se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është domosdoshmëri në funksion të sigurisë së vetë unionit.

“Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë! Dhe presim që BE t’i qëndrojë fjalës së saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës portugeze. Shqipëria do të vazhdojë me reformat dhe punën për modernizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojë të luajë një rol kyç konstruktiv në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç ka bërë deri më sot”, deklaroi ministrja Xhaçka gjatë deklaratës së përbashkët për median.

“Ne do t’i kërkojmë Europës së Bashkuar dhe vendeve që nuk janë aq të ndjeshme ndaj çështjeve të Ballkanit Perëndimor, të nisin bisedimet sa më shpejt për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit. Kjo është e rëndësishme nga pikëpamja e sigurisë. Po shohim se presioni i emigracionit të paligjshëm mbi Ballkanin Perëndimor po përshkallëzohet. Dhe ndalimi i suksesshëm i këtij emigracioni kërkon bashkëpunim të ngushtë brenda BE”, tha ministri Szijjártó,

Temë e bisedimeve ishin edhe marrëdhëniet ekonomike. Ministrja Xhaçka theksoi se, për të dy vendet, diplomacia ekonomike është një prioritet dhe për këtë, ajo siguroi homologun se investitorët hungarezë në Shqipëri do të gjejnë një mjedis mikpritës e të favorshëm për investimet e tyre.

Në lidhje me investimet hungareze në Shqipëri, ministri hungarez tha se shumë shpejt një kompani hungareze do të ndërtojë së shpejti një stacion energjitik diellor me kapacitet  4MV, duke rritur kështu kapacitetin e brendshëm dhe ndihmuar në reduktimin e importeve energjitike për Shqipërinë.

Deklarata e plotë e ministres Xhaçka

Ishte vërtet një kënaqësi për mua të mikprisja sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó, i cili zhvillon një vizitë një-ditore në vendin tonë.

E falenderoj kolegun Szijjártó që ka vendosi të vizitojë Tiranën në këtë kohë të vështirë kur për fat të keq diplomacia është reduktuar në takime online, që natyrisht nuk mund të zëvendësojnë kurrë takimet në person si këto.

Ky takim ishte një mundësi shumë e mirë për të rikonfirmuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë e Hungarisë, qoftë në planin bilateral ashtu edhe në atë rajonal e shumëpalësh. Miqësia mes nesh ka rrënjë shumë të thella në histori dhe jam vërtet e kënaqur që marrëdhëniet mes nesh janë sot kaq të konsoliduara.

Hungaria është një vend që na ka ndihmuar shumë dhe unë gjej rastin ta falënderoj kolegun Szijjártó për donacionin bujar prej 260 000 eurosh në ndihmë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe për maskat e kostumet mbrojtëse që ai vetë solli në Shqipëri në një shfaqje shumë simbolike e shumë të mirëpritur mbështetjeje.

Njё tjetёr hap i mirëpritur është edhe nënshkrimi i sotëm i Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Arsimit,në kuadër të Programit Hungarez të Bursave për 2021-2024.

Ky është vërtet një zhvillim i bukur pasi është një investim tek lidhjet mes të rinjve të vendeve tona duke konsoliduar kështu edhe më tej marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Me kolegun Szijjártó ndamë mendimin se marrëdhëniet ekonomike po ecin në një trend pozitiv, por që nuk janë aty ku duhet të jenë. Dhe në këtë kontekst u angazhuam për të mbështetur e nxitur shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik në terma sa më konkrete. Një tregues pozitiv i zhvillimeve ekonomike konsiderohet edhe Takimi i Tretë i Komisionit të Përbashkët Ekonomik mes dy vendeve, i cili pritet të mbahet këtë vit pasi u shty për shkak të pandemisë. Për të dy ne diplomacia ekonomike është një prioritet dhe unë përfitoj nga ky rast t’i siguroj investitorët hungarezë se në Shqipëri do të gjejnë një mjedis mikpritës e të favorshëm për investimet e tyre.

Sigurisht, që folëm për integrimin. Hungaria është një nga mbështetëset më të palëkundura të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit tonë, prandaj i shpreha mirënjohjen kolegut tim për këtë mbështetje tëvazhdueshme ndaj procesit të zgjerimit në Ballkanit Perёndimor, por edhe për mbështetjen konkrete që na kanë dhënë duke caktuar dy diplomatë hungarezë në Ministrinë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, të cilët ofrojnë ekspertizë të vlefshme në procesin paraprak për hapjen e negociatave.

E njoha Ministrin Szijjártó me punën e madhe që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrimeve kryesore, me fokus reformën në drejtësi. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë! Dhe presim që BE t’i qëndrojë fjalës së saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës portugeze.

Unë e garantova kolegun që Shqipëria do të vazhdojë me reformat dhe punën për modernizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojë të luajë një rol kyç konstruktiv në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç ka bërë deri më sot. Dhe ne e vlerësojmë realisht faktin, që Hungaria mike ndan me ne të njëjtën qasje ndaj integrimit të rajonit duke e konsideruar atë një çështje sa merite, aq dhe strategjike. Kur them strategjike, kam parasysh dy aspekte: së pari, strategjike në kuptimin e garantimit të sigurisë dhe neutralizimit të influencave të aktorëve të tjerë dhe së dyti, në kuptimin e kredibilitetit të vetë BE e cila ka marrë disa angazhime shumë konkrete ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Unë jam e sigurt që bashkë me kolegun Szijjártó do të dimë të punojmë e të çojmë përpara këtë marrëdhënie dhe do ta zgjerojmë më shumë bashkëpunimin mes vendeve tona.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel