Ushtronin dhunë ndaj bashkëshorteve, arrestohen dy burrat në Vlorë e Sarandë

12/02/2021 13:46

Policia e Vlorës ka vënë nën pranga dy persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim më herët.

U bë e mundur kapja dhe arrestimi  48-vjeçarit të shpallur në kërkim, shtetasit me iniciale G.K., i cili ishte dënuar me 3 muaj burg për thyerje të urdhër-mbrojtjes.

Po ashtu, është arrestuar shtetasi F.L., i cili ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga gjykata për veprat penale “Dhuna në familje”.

Njoftimi i policisë / Vlorë

Policia vë në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit G. K., 48 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 3 muaj burg për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sepse ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka qënë me urdhër-mbrojtje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë ndalimin e shtetasit F. L., banues në Sarandë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel