2.5 tonë drogë nga Shqipëria/ Megaoperacion në Mal të Zi, arrestohen 24 vetë

10/02/2021 21:30

Operacioni i koduar “Kurthi” në Malin e Zi ka çuar në pranga 24 persona, organizatorë dhe anëtarë të një organizate kriminale, të akuzuar për kontrabandë me sasi të mëdha marijuane që transportohej nga Shqipëria, përmes Malit të Zi dhe disa vendeve të rajonit, dhe kontrabandohej drejt Bashkimit Europian, njoftoi Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.

“Në hetimin e deritanishëm, duke ndërprerë rrugët e kontrabandës të përdorura nga anëtarët e këtij grupi kriminal, u gjetën dhe u konfiskuan gjysmë ton marijuanë. I njëjti grup akuzohet për kontrabandë të dy tonëve e gjysmë marijuanë”, thuhet në deklaratën e policisë. Mësohet se janë kryer bastisje në 30 banesa dhe kanë përfunduar në pranga 15 persona nga Ulqini, 7 nga Nikshici, një nga Podgorica e një nga Tivari.

“Në këtë operacion u angazhuan 180 oficerë policie – anëtarë të Sektorit të Policisë Speciale, Policisë Kufitare dhe të Stacionit të Ulqinit, Qendrës së Sigurisë së Tivarit, Qendrës së Sigurisë Nikshiq, Qendrës së Sigurisë Herceg Novi, Qendrës së Sigurisë së Podgoricës, etj. Nën drejtimin e Departamentit për Luftën ndaj Kontrabandës së Drogave”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë. Policia malazeze në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marijuanë, e cila transportohet në format më të ndryshme drejt Malit të Zi.Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi dhe Europës.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel