Ndahet nga jeta ish-Sekretari i Shtetit George P. Shultz

08/02/2021 08:22

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit George P. Shultz, një titan i jetës akademike, biznesit dhe diplomacisë amerikane i cili kaloi shumicën e viteve 80 duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik e duke krijuar një kurs paqeje për Lindjen e Mesme, u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare.

Zoti Schultz vdiq të shtunën në shtëpinë e tij e cila ndodhet në kampusin e Universitetit të Stanfordit. Ai ishte një bashkëpunëtor i shquar i Institutin kërkimor Hoover, e mbante titullin e profesorit në Shkollën Pasuniversitare të Biznesit në Stanford edhe pas daljes së tij në pension.

Instituti Hoover njoftoi vdekjen e zotit Schultz të dielën, por nuk bëri të ditur shkaqet e vdekjes.

Një republikan i përjetshëm, zoti Shultz mbajti tre poste të rëndësishme në kabinetet qeveritare gjatë administratave të drejtuara nga republikanët.

Ai ishte Sekretar i Punës, Sekretar i Thesari dhe drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit nën Presidentin Richard M. Nixon përpara se të shpenzonte më shumë se gjashtë vjet në detyrën e Sekretarit të Shtetit kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Presidenti Ronald Reagan.

Zoti Schultz ishte sekretari Shtetit me kohën më të gjatë të qëndrimit në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë jetës së tij, zoti Shultz pati suksese në pothuajse gjithçka që preku, përfshirë fushën akademike, mësimdhënien, shërbimet qeveritare dhe botën e korporatave. Ai u respektua gjerësisht nga kolegët e tij që i përkisnin të dy krahëve të politikës.

Pas hedhjes në erë në tetorit e vitit 1983 të kazermave ushtarake amerikane në Bejrut, ku si pasojë u vranë 241 ushtarë, zoti Shultz punoi pa u lodhur për t’i dhënë fund luftës brutale civile në Liban. Ai kaloi orë të panumërta duke shërbyer si ndërmjetës mes palëve në një përpjekje për të siguruar tërheqjen e forcave izraelite.

Përvoja e bëri atë të besonte se stabiliteti në rajon mund të sigurohej vetëm me një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Ai u nis për një mision ambicioz, por përfundimisht të pasuksesshëm për t’i ulur palët në tryezën e negociatave.

Megjithëse zoti Shultz nuk e arriti qëllimin e tij për ta futur Organizatën Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelin në një kurs drejt një marrëveshje paqeje, ai formësoi rrugën për përpjekjet e administratave të ardhshme në Lindjen e Mesme, duke legjitimuar palestinezët si një popull me aspirata e interesa të vlefshëm në përcaktimin e së ardhmes së tyre.

Si kryediplomat i kombit, zoti Shultz negocioi traktatin e parë për zvogëlimin e arsenalit bërthamor të Bashkimit Sovjetik, megjithë kundërshtimet e ashpra nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ndaj “Iniciativës Strategjike të Mbrojtjes” së Presidentit Reagan.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi i vitit 1987 ishte një përpjekje historike për të ndryshuar kursin e garës së armëve bërthamore, një qëllim të cilin ai nuk e braktisi kurrë në jetën private.

“Tashmë që dimë kaq shumë mbi këto armë dhe fuqinë e tyre”, tha zoti Shultz në një intervistë në 2008 “ato janë pothuajse armë që nuk do t’i përdorim, kështu që mendoj se do të ishim më mirë pa to”.

Ish-Sekretari i Shtetit Henry A. Kissinger, duke reflektuar në kujtimet e tij mbi atë që e ka cilësuar si “Shultzi shumë analitik, i qetë dhe altruist”, i dedikoi atij një vlerësim të jashtëzakonshëm në ditarin e tij: “Nëse do të zgjidhja një amerikan, të cilit do t’i besoja fatin e kombit në krizë, do të ishte George Shultz”.

George Pratt Shultz lindi më 13 dhjetor 1920, në qytetin e Nju Jorkut dhe u rrit në Englewood të Nju Xhersit. Ai studioi ekonomi, çështje publike e ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it, ku dhe u diplomua në 1942.

Pas Princeton-it, zoti Shultz iu bashkua trupave të Marinës dhe u ngjit në gradën e kapitenit si oficer artilerie gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në 1949 ai morri gradën e doktorit në ekonomi në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit (MIT) dhe dha mësim aty dhe në Universitetin e Çikagos, ku shërbeu si dekan i shkollës së biznesit. Përvoja e tij në administratë përfshinte një post si një nga ekonomistët kryesor të Këshillit të Konsuletëve Ekonomikë të Presidentit Dwight D. Eisenhower dhe si drejtor i Zyrës për Menaxhimin dhe buxhetin gjatë administratës Nixon.

Zoti Shultz ishte president i kompanisë së ndërtimit dhe inxhinierisë Bechtel Group nga 1975-1982 dhe dha mësim me kohë të pjesshme në Universitetin Stanford përpara se t’i bashkohej administratës Reagan në 1982, duke zëvendësuar Alexander Haig-un, i cili dha dorëheqjen pas përplasjeve të shpeshta me anëtarët e tjerë të administratës.

Në 1985 u shënua një mosmarrëveshje e rrallë publike mes zotit Reagan dhe zotit Shultz, kur presidenti urdhëroi me mijëra punonjës të qeverisë federale me qasje tek informacionet e sekrete, që të kryenin një test me aparatin që identifikon gjënjeshtrat, kjo si një mënyrë për të bllokuar rrjedhjen e informacionit. Zoti Shultz u tha gazetarëve se në atë “moment që kjo qeveri e ka humbur besimin tek unë do të jetë dhe dita kur unë largohem”. Shumë shpejt administrata e tërhoqi kërkesën. Një mosmarrëveshje më serioze ishte rreth shitjes sekrete të armëve Iranit në 1985 me shpresën për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane të mbajtur në Liban nga milicia e Hezbollahut.

Megjithëse zoti Shultz e kundërshtoi, zoti Reagan vazhdoi me marrëveshjen dhe miliona dollarë nga Irani shkuan tek guerilasit e krahut të djathtë Contra në Nikaragua.

Pasi Reagan u largua nga detyra, zoti Shultz u kthye tek kompania Bechtel.

Ai u tërhoq nga bordi i kompanisë në 2006 dhe u kthye në universitetin e Stanford-it dhe në Institutin Hoover.

Në vitin 2000, ai u shndërrua në një nga mbështetësit e hershëm të kandidimit për president të George W. Bush, babai i të cilit kishte qenë nënpresident ndërsa zoti Shultz shërbente si Sekretar Shteti. Zoti Schultz shërbeu si këshilltar jozyrtar i fushatës së tij.

Zoti Shultz mbeti një avokat i flaktë i kontrollit të armëve në vitet e tij të mëvonshme, duke folur kundër disa qëndrimeve kryesore të republikanëve. Ai shkaktoi polemika pasi e quajti luftën kundër drogës për qëllime argëtimi, të mbështetur nga zoti Reagan, një dështim dhe qortoi embargon e gjatë të Shteteve të Bashkuara mbi Kubën duke e cilësuar atë “të çmendur”.

Ai ishte gjithashtu një ithtar i shquar i përpjekjeve për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se injorimi i rreziqeve ishte vetëvrasje.

Zoti Shultz, së bashku me ish-sekretarin republikan të Shtetit Henry Kissinger, tërhoqën vëmendjen e shtypit gjatë fushatës presidenciale të 2016, kur refuzoi të mbështesë kandidatin republikan Donald Trump. Ai u citua të thoshte “Zoti na ndihmoftë” kur u pyet mbi mundësitë e zotit Trump për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Shultz ka qenë i martuar me Helena “Obie” O’Brien, një infermiere e ushtrisë me të cilën u takua gjatë Luftën e Dytë Botërore dhe patën pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj, në 1995, ai u martua me Charlotte Maillard, në vitin 1997.

Në 1989 zotit Shultz i është dhënë titulli më i lartë civil i kombit, Medalja Presidenciale e Lirisë./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA