Mallakastër/ 57-vjeçari ndërroi jetë pasi u rrah nga disa persona! I biri: 3 të arrestuarit e goditën me shufër hekuri

07/02/2021 11:37

FIER – 57-vjeçari Pelivan Sinrrapaj, i cili u rrah disa ditë më parë nga shokët e tij në Mallakastër ka ndërruar jetë gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.

Ndërkohë ditën e sotme djali, i tij Fatmir Sinrrapaj, ka folur për mediat duke hedhur akuza ndaj dhunuesve që i shkaktuan vdekjen babait të tij.

Për mediat ai është shprehur se i ati ka pasur konflikte vetëm me një prej personave të arrestuar, Ferdinand Meraj. Sipas tij, Pelivan Sinrrapaj nuk ka ngrënë dhe nuk ka pirë me 3 të arrestuarit, dhe pasi ishte ndarë nga ta, ata e kishin ndjekur dhe e kishin goditur me shufra hekuri, çka përfundoi në vdekjen e tij.

“Babai im ka dalë për të blerë disa fruta për t’i mbjellë në shtëpinë e tij fshatin Qorrush të Mallakastrës. Kur është kthyer, ishte esëll, nuk kishte pirë. Babai im nuk merrej kurrë me politikë. Duke ardhur për në shtëpi, e kanë goditur me shufra hekuri 3 persona. Jo ata që kanë qenë bashkë. Ishin bashkë. Nuk pinin bashkë, e kanë ngrënë në besë dhe e kanë rrahur. Babai ka pasur konflikt më parë me Ferdinandin, nuk e di se për çfarë. Ne kërkojmë drejtësi, të gjykohet drejtë. Unë ja lë në dorë perëndisë. Unë kam shkuar vetë në polici. Do t’i shoh kamerat e sigurisë. Nuk ka qenë arsye politike” – tha djali.

 

Top Channel