Reshjet e dendura të shiut/ Lagja ”Erzen” në Shijak rrezikon të përmbytet sërish

02/02/2021 15:35

Lagja ”Erzen” në Shijak rrezikon të përmbytet sërish.

Niveli i ujit është rritur ditën e sotme në lumë, ndonëse reshje shiu nuk ka pasur. Uji ka vërshuar në oborret e banesave të lagjes që ngrihet buzë lumit.

Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës së kaluar, Durrësi po përballet me fenomenin e rrëshqitjes së dherave dhe për pasojë dëmtim të tubacioneve kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm të qyteteve të Durrësit, Shijakut dhe zonës së Maminasit.

Rrëshqitje masive  dherash ka pasur dhe nga Kodra e Currilave në qytetin e Durrësit. Shirat e rëna gjatës natës së kaluar kanë shkaktuar dëmtim të  strukturës së dherave të cilat kanë rrëshqitur duke bllokuar segmente të rrugës së Currilave gjatë ditës së sotme.

Për të pastruar dëmet janë angazhuar përveç punonjësve të komunales dhe ata të shërbimit zjarrfikës.

Në Karpen të Maminasit, situata paraqitet e rënduar, jo vetëm për shkak të strukturës argjilore të tokës, po dhe të hedhjes pa kriter të inerteve të shumta pas prishjes së pallateve dhe godinave të tjera të dëmtuara nga tërmeti.

Top Channel