Mbërrijnë 1170 vaksinat e Pfizer/ Rama: 50 bluza të bardha nga spitali Covid i Prishtinës për të dyja dozat do të vaksinohen në Tiranë

02/02/2021 00:53

Mbrëmjen e së hënës në Aeroportin e Rinasit mbërritën 1170 dozat e para të vaksinës së Pfizer. Kryeministri Rama tha se brenda muajit shkurt do të vijnë edhe 41 mijë vaksinat e tjera, por nuk dha data.

‘Jemi në kushtet kur procesin e vaksinimit e kemi filluar dhe do e vazhdojmë falë faktit që se lamë veten ne dorë të tjerëve, nuk pritëm Covax, që është në një proces se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt me ta të vazhdueshme por dhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin sinjal qartësie. Kjo është situatë dinamike, në ndryshim. Sigurimi i vaksinave është një luftë tregtare politike e jashtëzakonshme, më vjen mirë që ja kemi dalë të mos mbetemi në rrethin vicioz ku janë dhe të tjerë- tha Rama.

Ndërkohë ka një ndryshim plani me Kosovën, pasi nuk i japim dot vaksina.

‘E bëjnë të pamundur dhurimin e vaksinave, por jo të pamudur që të ndihmojmë një numër mjekësh kosovarë të vaksinohen këtu, kur ata të vendosin do i mikëpresim, si fillim 50 bluza të bardha nga spitali Covid i Prishtinës për të dyja dozat’- vijoi kryeministri.

Po ashtu Rama tha se qeveria është në diskutim edhe me 4 shtete për vaksinat antikovid. Ndërsa për vaksinën ruse dhe kineze dha këtë përgjigje:

‘Sa për vaksinën ruse dhe kineze, asnjë, paragjykim të natyrës shkencore. Po zgjedhja jonë është që do kërkojmë vaksina në perëndim të vendit. Është një zgjedhje e bërë prej nesh, se këtu ka shumë komponente. Nëse BE hapet ndaj këtyre dhe ne do e rishikojmë, jemi në të njëjtën qëndrim si BE’- u shpreh kryeministri.

Top Channel