Dëmtohen tubacionet e ujësjellësit/ Rrëshqitja e dheut lë pa ujë disa zona në Durrës e Shijak

02/02/2021 15:18

Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe për pasojë dëmtim të tubacioneve kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm të qyteteve të Durrësit, Shijakut dhe zonës së Maminasit. 

Nikolla Simaku, inxhinier UKD: Kemi konstatuar spostim të tubit gati 20 cm. E kemi filluar punën që mbrëmë, po e ndërpremë punën nga reshjet dhe e rinisëm sot dhe sonte në darkë besojmë se gjithçka do të kthehet në normalitet.

E ndërsa po punohet për riparimin e tubacioneve të dëmtuara në kodrën e Ishmit dhe zonën e Shilores në Maminas, dy stacionet e pompimit në Milot dhe Fushë Krujë janë stakuar. Ndërkohë inxhinieri i UKD-së, Nikolla Simaku garanton konsumatorët për cilësinë e ujit të pijshëm pas riparimit të defekteve.

Stacioni kryesor i pompimit është stakuar dhe përgjatë të gjithë rrugës kemi shkarkues që bëjnë pastrimin e nevojshëm të ujit pasi ndezjes stacioni. Kështu që me cilësinë e ujit nuk do të kemi asnjë problem”.

Në Karpen të Maminasit, situata paraqitet e rënduar, jo vetëm për shkak të strukturës argjilore të tokës, po dhe të hedhjes pa kriter të inerteve të shumta pas prishjes së pallateve dhe godinave të tjera të dëmtuara nga tërmeti.

Top Channel