“Votat e kandidatëve që nuk prodhojnë mandat shkojnë kot”/ Paralajmërohet padi në Kushtetuese

01/02/2021 17:36

Kryetari i Partisë Agrare, Agron Duka i bën thirrje partive të vogla të reagojnë në lidhje me mënyrën si llogariten votat sipas sistemit të ri.

Ne që jemi parti të vogla, edhe nëse votohemi me emra dhe sigla në fund të procesit, na quan votat vetëm të atij që konvertohet në mandat deputeti. Të gjitha votat  e tjera nuk na quhen. Kjo është jo logjike”.

Sipas tij, nëse kjo çështje nuk zgjidhet duhet dërguar në Gjykatën Kushtetuese: “Kam folur dhe me Bylykbashin dhe ka thënë që ne e kemi kundërshtuar. Kam folur dhe me ata të PS-së, Damian Gjiknurin dhe të tjerë dhe thonë që nuk dimë si rrëshqiti kjo punë. Kam folur dhe me aleatët e tjerë, i bëj thirrje edhe partive të tjera të vogla t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese sepse nuk është logjike dhe është në dëm të partive të vogla. Është e padrejtë, unë marr 40 mijë vota dhe më quhen 10 mijë. Në vend që të mbështetet ai që del vetëm, zhytet fare, nesër merr 0 lekë“.

Ai shpjegon argumentin e tij duke dhënë shembuj: “Po themi PR ka dy mandate në zonën e sigurt, por ka 10 përfaqësues të tjerë. Këto përfaqësues të tjerë, në fund të procesit nuk i quan fare.

Marrim rastin e Nismës Thurje, nëse ata marrin 50 mijë vota në të gjithë Shqipërinë por nuk krijojnë asnjë mandat në të gjithë Shqipërinë, si i bie, që ata dalin zero?!

Partitë e vogla të reja, të cilat kandidojnë dhe mund të konvertojnë ndonjë mandat deputeti, nëse marrin 30 mijë vota, janë nul nëse, nuk i njihen fare. Më parë lekët që merrte partia ishin sipas votave të marra, sot një gjë e tillë nuk quhet”.

Sipas kryetarit të PAA-së, në këtë mënyrë humbasin votat dhe nuk ka logjikë.

Top Channel