Seanca e parë plenare për muajin shkurt, çfarë u miratua sot në Kuvend

01/02/2021 13:56

Kuvendi ka përfunduar seancën e parë plenare për muajin shkurt 2021 duke miratuar pesë projektligje dhe dy projektvendime.

Me 87 vota pro, u miratua projektligji “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ndërsa Projektligji “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”, u miratua me 97 vota pro.

Me 95 vota pro u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)” dhe projektligji “Për ratifikimin e Protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr. 10094, datë 12.03.2009”.

Sa i përket projektvendimeve, u miratua me 71 vota pro “Miratimi i strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK)”, dhe me 83 vota pro “Emërimi i z. Lorenc Bako si anëtar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

Top Channel