‘Në Shqipëri nuk ka oligarkë’/ Rama: Taksa e sheshtë e PD ndihmon të pasurit, vetëm në një 1 vit marrin 50 mln euro…

30/01/2021 10:39

Kryeministri Edi Rama ka folur sot nga Korça për një temë të përmendur shumë herë nga opozita, e cila denoncon përfitimet që sipas saj marrin një grusht oligarkësh në Shqipëri prej qeverisë.

Duke u ndalur te premtimi i kreut të opozitës, Lulzim Basha, për uljen e taksës së sheshtë në 9%, Rama deklaroi se taksa e sheshtë është taksa e të pasurve dhe “Vetëm nga taksa e sheshtë ‘oligarkët’ do të marrin direkt nga buxheti i shkollave, spitaleve, etj, mbi 50 milionë euro, të cilat sot i fusin në buxhet si taksë. Kaq e thjeshtë është”.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë teksa theksoi se në Shqipëri nuk ka oligarkë, nënvizoi se “nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij e në dëm të interesit të publikut”.

“Se përdorin fjalën oligark por fjala nuk lidhet me thjesht sa para ke, lidhet me sa pushtet ke mbi vendimmarrjen, pushtet jo legjitim, i ushtruar përmes influencës tënde si aktor në treg jo përmes mandateve të përfaqësimit.

Në këtë sens nuk ka oligarkë në Shqipëri se s’ka njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të qeverisë.

Nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij e në dëm të interesit të publikut.

Përtej fjalës, më të pasurit në Shqipëri para se sa ne të vinim në qeveri paguanin më pak taksa e fitonin më shumë, ky është fakt, jo opinioni im, sot taksohen 15%.

E dyta fakt, në këto 7 vjet hapësira e kompanive për të pasur akses në punët publike është shumëfishuar.

Tjetra, duhen marrë këta oligarkët, për mua, e duhet parë çfarë kanë dhënë e çfarë kanë marrë, se flasim për ta, ose flitet për ta e duket sikur flitet për ca njerëz si personazhet e filmave me kulakë e figura e kulakut aty është qendrore por këta janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë, mbajnë në punë dhjetëra mijëra njerëz, kontributorë të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit me taksat e mbledhura që janë shumë më tepër se ishin para 7 viteve”, u shpreh Rama.

Top Channel