Shtyrja e afatit të kolaudimit për 3 muaj, ministrja Balluku: Do të kufizojmë rrezikun që vjen prej pandemisë

28/01/2021 12:43

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka folur në Kuvend për aktin normativ që vendos zgjatjen me 3 muaj të afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi se kanë marrë këtë vendim për të ruajtur sigurinë fizike të operatorëve dhe qytetarëve duke zbatuar udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Belinda Balluku: Nga ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me 3 muaj.

Për të qenë në një linjë me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik Ekspertëve, si dhe për të ruajtur sigurinë fizike të operatorëve dhe qytetarëve kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë së certifikatës të kontrollit teknik me 3 muaj.

Qytetarët që kanë apo kanë pasur datën e kontrollit teknik në këto 3 muaj, ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të radhës.

Efekti primar i vendimit është se do ketë ulje të grumbullimit dhe të radhëve duke ulur rrezikut për jetën e qytetarëve. DPSHTRR është duke marrë masat për sigurinë e operatorëve dhe qytetarëve.

Duke votuar këtë akt normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës të kontrollit teknik, për mjetet me motor dhe rimorkio, ne kemi mundësi të shtojmë sigurinë duke siguruar një shërbim të përshtatshëm brenda kushteve të përcaktuara nga Komiteti i Ekspertëve.

Top Channel