Pipero infektohet pas vaksinimit/ “Pas dozës së parë të vaksinës të kemi të njëjtin kujdes si çdo person i pa vaksinuar”

28/01/2021 00:49

15 ditë pasi injektoi dozën e parë të vaksinës anticovid Pfizer, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është infektuar me koronavirus. I kontaktuar nga Top Channel, Pipero tha se kishte pasur disa simptoma të lehta si dhimbje koke, temperaturë subfebrile dhe me insistimin e kolegëve ka shkuar në ISHP për të bërë tamponin e gripit por njëkohësisht e kanë testuar edhe për Covid-19 .

Tamponi i tij ka rezultuar pozitiv. Aktualisht doktor Pipero është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka marrë me sportivitet infektimin duke u shprehur se kjo mund të shërbejë si dozë e dyte vaksinës e cila ishte planifiakur pas 21 ditësh nga doza e parë, pra në ditët e para të muajit shkurt.

Ndërkohë ekspertët e Instituti të Shëndetit Publik të pyetur në lidhje me infektimin e doktorit thonë se rasti i Piperos konfirmon atë që ata kanë thënë më herët se pas dozës së parë të vaksinës mund të infektohesh dhe duhet bërë kujdes njëlloj sikur nuk kë injektuar vaksinë.

Pasi sipas tyre mbrojtja e vaksinës fillon një javë pas dozës së dytë të vaksinës. Por antitrupat fillojnë të krijohen edhe pas dozës së parë. Kjo do të bëjë që doktor Pipero të manifestojë simptoma të lehta.

Por nga ana tjetër do të kryhet një tjetër tampon për Piperon pas 72 orësh për ta konfirmuar përfundimisht që është i prekur nga Covid-19 apo këto simptoma që po kalon aktualisht janë si efekte anësore që i ka shkaktuar doza e parë e vaksinës që ai ka bërë në 11 janar.

Top Channel