Fier/ Vdekja e infermierit pasi makina e tij u përplas me kamionin, flasin familjarët: Nuk ishte faji i tij, rruga kishte ngrica dhe asnjë sinjalistikë, duam drejtësi!

28/01/2021 14:10

Sipas policisë, shkaku i aksidentit dyshohet të ketë qenë parakalimi i gabuar i 30-vjeçarit, Klement Basha dhe terreni i rrëshqitshëm. Por, familjarët e të ndjerit kanë reaguar në “Shqipëria live”.

Makina që po drejtonte Klement Basha u përplas me një kamion, duke lënë të vdekur infermierin që po shkonte në punë.

Kushëriri  i Klementit, Aniseld Dana, flet i revoltuar, pasi sipas tij, infrastruktura e keqe në rrugë ishte shkaku i aksidentit dhe jo gabimi njerëzor: “Përtej pikëllimit, duhet të them se jemi shumë të revoltuar, nga të dhënat dhe kamerat e sigurisë që kam parë, në atë vend ka prurje uji dhe nuk ka sinjalistikë. Kushëriri nuk ka qenë në kundërshtim me rregullat. Makina i ka dalë nga kontrolli se ka rrëshqitur, ka ecur si në pistë patinazhi. Klementi është përpjekur ta drejtojë në rrugë por ka qenë e pamundur. I bëj thirrje publike autoritetit rrugor shqiptar ta investigojë këtë  çështje. Çfarë instancash kemi nëse nuk kontrollojnë dot as atë segment?? Ajo rrugë ishte vrasëse dhe ndodhi që rasti fatal të ishte për kushëririn tim. Bëj thirrje ta investigojnë çështjen që mos të na shtojnë dhimbjen“.

Motra e Klementit tregon e përlotur momentin e fundit me të vëllanë, para se të nisej për punë. “U nis për në punë si çdo ditë. Atë ditë ishte shumë ftohtë dhe jashtë kishte ngrirë. Vëllai im e bënte çdo ditë atë rrugë, nuk kishte si të gabonte. Një pjesë e asaj rruge është në ndërtim e sipër dhe nuk mund të ecësh shpejt.  Klementi ka qenë shumë punëtor. Ishte i përpiktë në punë, kishte 1 vit te spitali rajonal i Fierit. Ishte i kënaqur me punën, ia kishte marrë dorën, e kishte gjetur vetën në sektorin e patologjisë”.

Top Channel