Djali goditi të ëmën me dru/ Flet vëllai: Sherri nisi për litarin e pusit…

27/01/2021 13:18

Latif Xhelezi aktualisht ndodhet në burg pasi dhunoi fizikisht nënën e tij, tre ditë më parë në Bulqizë.

Sipas policisë, 41-vjeçari, Latif Xhelezi goditi të ëmën me send të fortë, dru dhe gjatë momentit të arrestimit iu gjetën  në xhep dy armë të ftohta, të llojit thikë.

Vëllai i Latif Xhelezit, Gani Xhelezi tregoi për ngjarjen në “Shqipëria live”: “Unë në atë moment nuk ndodhesha aty, por ishin fëmijët dhe gruaja e Latifit. U zunë për një litar te pusi, aty nisi sherri dhe ai goditi nënën”.

Megjithatë, Ganiu e justifikon veprimin e të vëllait: “I ka rrëshqitur dora. Ne nuk duam që ai të rrijë në burg. As unë, as nëna nuk kemi bërë denoncim, duam që ai të kthehet në shtëpi, te gruaja dhe fëmijët  e vet”.

Sipas tij, Latifi është nevrik, por nuk e ka dhunuar më parë nënën. Ai thotë se nëna është ende në spital, por gjendja e saj shëndetësorë po përmirësohet, “ka një plagë në kokë por nga e enjtja besoj se do të dalë nga spitali”.

Gjatë arrestimit, policia raporton se 41-vjeçarit iu gjetën dy thika. Ganiu thotë se i përdorte për punë. “Ato thikat i ka pasur për punë, po rregullonte një prizë treshe, janë si mjete pune, asgjë më shumë”.

 

Top Channel