Dënohet terroristi taxhik, do organizonte atentat ndaj një biznesmeni në Shqipëri

27/01/2021 15:22

Gjykata e Lartë Rajonale në Dusseldorf të Gjermanisë ka dhënë 7 vjet burg, për të akuzuarin për terrorizëm, Ravsan B. 31-vjeç.

Gjykata dënoi shtetasin nga Taxhikistani pasi ishte ulur në bankën e të akuzuarve, si një anëtar i organizatës terroriste dhe për përgatitjen e të paktën dy atentateve në Shqipëri dhe Neuss.

Për shkak se ai pranoi të fliste dhe të tregonte rreth planeve terroriste, gjykata i ka caktuar një dënim më të butë. Ravsan B. mbërriti në Gjermani në 2011 dhe kërkoi azil atje. Ai punoi si automobilist përpara se të radikalizohej. Jan Van Lessen, kryetar i trupit gjykues tha: “Në nëntor 2018, ai bashkoi forcat me Taxhikët e tjerë për të formuar një qelizë të të ashtuquajturës IS.

Qeliza donte të mbështeste ‘vëllezërit’ në Lindjen e Mesme dhe të kryente sulme në Gjermani.”

Për të qenë në gjendje të mbështeste financiarisht organizatën terroriste islamike në Siri, Ravsan B. pranoi të vriste një biznesmen shqiptar për 40,000 dollarë në emër të një rusi. Me një pistoletë dhe një bashkëpunëtor, Ravsan B. i zuri pritë personit të supozuar të shënjestrës para një restoranti në Tiranë.

Vetëm për shkak se autorët kishin dyshime në identitetin e viktimës, ata nuk mundën ta kryejnë sulmin në minutën e fundit. Një objektiv tjetër ishte një kritik islamik në Neuss. Grupi Taxhik dhe Ravsan B. mori leje nga shefi i ISIS për ta vrarë dhe e vëzhgoi për ditë me radhë. Fotografitë dhe videot e trupit të tij do të shfaqeshin në internet pas sulmit. “Vetëm puna e mirë hetimore e policisë parandaloi sulmin”, tha gjykatësi.

Ndërkohë në Gusht të vitit 2020 në Shqipëri u arrestua një 24 vjecar nga Taxhikistani, me emrin Komrom Zukhurov ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për veprën penale anëtar i një organizate të huaj terroriste. Policia në atë kohë lajmëroi se grupi në të cilin ai bënte pjesë kishte marrë porosi për ekzekutimin e një biznesmeni në Tiranë kundrejt shumës shpërblyese prej 40 mijë dollarësh.

Mediat gjermane tani zbulojnë se porosinë e vrasjes e kishte dhënë një shtetas rus.

Top Channel