Grant 2.5 milionë euro/ Firmoset marrëveshja me Greqinë, do rindërtohet një shkollë profesionale

26/01/2021 15:40

U nënshkrua sot marrëveshja për akordimin nga ana e Greqisë, të një granti prej 2,5 milion eurosh , me qëllim rindërtimin e një shkolle profesionale në kompleksin ”5 Maji” në Tiranë.

Marrëveshjen, e cila përbën kontributin e Greqisë për rindërtimin, pas tërmetit të goditi Shqipërinë në nëntor 2019, e nënshkruan Ministri për Rindërtimin z. Arben Ahmetaj dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri znj. Sophia Philippidou.

Gjatë fjalës së saj, znj. Philippidou theksoi mes të tjerave:

”Bashkë me Ministrin për Rindërtimin z. Arben Ahmetaj, do të nënshkruajmë sot marrëveshjen për akordimin falas nga ana e Greqisë të 2,5 milion eurove, të cilën e kishim komunikuar në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve ”Together for Albania”, e cila u mbajt në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar. Është një tregues shtesë i solidaritetit midis vendeve dhe popujve tanë si dhe i përkrahjes së njërit për tjetrin, kur kemi një situatë emergjence.

Ky grant plotëson reagimin e menjëhershëm të Qeverisë greke por edhe solidaritetin e vetvetishëm që treguan populli grek dhe emigrantët Shqiptarë në Greqi, që në momentet e para të vështira mbas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ne gëzohemi që vepra e rindërtimit po avancon dhe që do të marrim pjesë në një program kaq të rëndësishëm dhe kaq modern , siç është ai i rindërtimit të një shkolle profesionale në kompleksin ”5 Maji ” në Tiranë. Besojmë se diçka e tillë do të hapë dhe rrugë të tjera bashkëpunimi në nivel pregatitjeje profesionale”.

Top Channel