Mali i Tomorrit, një nga bukuritë e rralla të natyrës, me Majën e Shenjtë që zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit, është një nga vendet më të vizituara në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga besimtarët bektashij në pelegrinazhin e tyre të përvitshëm.

Por udhëtimi ka qenë gjithherë i mundimshëm për shkak të mungesë së rrugës. Sot, situata është krejtësisht e ndryshme. Rruga e re po merr formë dita-ditës, duke shkurtuar kohën dhe lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë, por edhe për t’i hapur një perspektivë të re turizmit të kësaj zone të bekuar.

Kjo rrugë është kaq e dëshiruar nga të gjithë besimtarët bektashinj, por jo vetëm, pasi rruga i shërben edhe turizmit, u shpreh kryebashkiakuDemo, gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në rrugën e re, që deri më tani ka bërë të mundur shkurtimin e 7 kilometrave të para. “Nga viti ‘90-të e më pas gjithë kryeministrat e gjithë qeverive e kanë premtuar dhe asnjëherë nuk është bërë e mundur, – vijoi Kryetari i Bashkisë. – Kjo nuk është bërë e mundur, jo për mungesë të fondeve financiare, sepse kush ka dëshirën e gjen mundësinë dhe kush nuk ka dëshirën gjen justifikimin. Sot, ne ju falenderojmë Kryeministër, jo vetëm për besimtarët bektashinj që rrinin rrugëve me orë të tëra për të shkuar deri tek Maja e Shenjtë, por edhe për t’i hapur rrugë të re turizmit, në gjithë qarkun e Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht, gjithë Shqipërinë, për të shijuar të gjitha stinët që janë të bukura në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Sot, me këtë rrugë me këtë investim, maksimumi për 30 minuta shkon tek teqja e AbazAliut. Më përpara donte më shumë se një orë e gjysmë apo dy orë me atë stërmundim të gjithë bektashinjve që vinin me fëmijë. Sot, ajo që është më e rëndësishme, përveç aspektit fetar, kjo i hap dhe një perspektivë shumë të madhe turizmit në zonën tonë.“

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se me investimin e bërë pelegrinazhi i këtij viti që tradicionalisht bëhet në muajt e verës e gjen zonën me infrastrukturë të re, lehtësisht të arritshme nga besimtarë dhe turistë. “Po rehabilitojmë gjithë sheshin pranë Teqesë në mal për të krijuar një ambient të përshtatshëm, por kjo rrugë padyshim do ta kthejë këtë në një atraksion të madh turistik. Mali i Tomorrit padyshim është një nga malet më të bukura të Shqipërisë për vetë natyrën e organizmit, por edhe për kaq shumë hapësira që ka rreth e qark. Ky është një investim i madh dhe për të gjithë komunitetin bektashi, kjo është një ditë e shënuar pasi edhe pelegrinazhi i këtij viti që ndodh në verë do ta kapi me rrugë të asfaltuara dhe me një hapsirë shumë të rregullt që nga Berati dhe më tej. Rruga nga Berati në Poliçan është e asfaltuar. Pra, nga Tirana deri në Teqenë e AbazAliut do të shkojnë pa asnjë pengesë.”

Ndërsa shprehu kënaqësinë për finalizimin e projektit, Kryeministri inkurajoi për ritme më të larta në të gjitha veprat infrastrukturore, në mënyrë që të fitohet sa më shumë nga koha e humbur me dekada. “Në krahasim me aksesin dhe mundësinë që krijon rruga për investime në agroturizëm dhe për shumë më tepër hapësirë për vizitorë dhe për turistë që kur të nisen të mos ta mendojnë 2700 herë se mos ngecin këtu, është akoma më e rëndësishme dhe është komplementare me atë pjesë që ka të bëjë me magnetin tradicional që ka vendi për të gjithë ata që janë besimtarë. Por përtej besimtarëve, – vijoi Kryeministri, – ky vend ka një tërheqje magnetike të jashtëzakonshme për natyrën dhe për mundësinë që në 360 gradë të shijosh këtë zonë të bekuar. Kështu që më vjen shumë mirë që ne arritëm ta finalizojmë këtë projekt. Patjetër duhet të ishte bërë më parë, ashtu si shumë nga gjërat që duhet të ishin bërë më parë, ose si shumë nga ato që bëjmë ne sot duhet të ishin bërë më parë, por nuk ishim ne më parë që mund t’i bënim gjërat me radhë. Tani rëndësi ka të vazhdojmë radhën e gjërave dhe të shtojmë kudo ritmin dhe të bëjmë ç’është e mundur që koha e humbur me dekada të fitohet sa më shpejt.”

Top Channel