Erion Veliaj reagoi për herë të parë për sulmet publike të opozitës, e cila flet për përgjime që lidhin kryebashkiakun me mafian italiane.
“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira, ku do dalim që kemi qenë shokë çerdheje me Eskobarin. Strategjia e Saliut ka qenë përça dhe sundo. I ka funksionuar në vitet ‘90. Hidhte helmin e vet, përçante veriun dhe jugun , por tani shqiptarët kanë parë botë me sy, dinë çfarë janë lajmet e rreme. Ata mund të marrin portale, ata mund të paguajnë rrjetet sociale që vënë gjoba, ata mund të bëjnë çfarë të duan. Por ne socialistët jemi të fokusuar te kutia e votimit për mandatin e tretë”, tha Veliaj.
Me afrimin e zgjedhjeve fushata elektorale pritet te jete akoma edhe me e nxehtë. Përballja me e fortë pritet në Tiranë ku me shumë mundësi Erion Veliaj do të ketë përballë Lulzim Bashën.
Si drejtues politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Veliaj nuk harron të bëjë dallimin me kundërshtarin politik, të cilit i kujton faturën e 21 janarit.
“Këta thonë duam ndryshim, jemi të rinj. Kush është i ri? Para 10 vitesh ishte Saliu me Lulin. Saliu në Kryeministri, Luli në tarracë, vranë 4 njerëz me plumba në mish. Luli ende nuk ka kërkuar ndjesë dhe tani kërkon të bëhet kryeministër. Do të rikthehet Saliu, për herë të tretë. Enver Hoxha lindi në 1908, vdiq në 1985, 77 vjeç. 77 Saliu thotë jam ndryshimi, jam gjë e re”.
Teksa partitë politike janë në fazën e hartimit të listave për deputet , Veliaj leshon akuza për cilësinë e kandidatëve të opozitës.
“Nuk mund të ketë forca politike që në vitin 2021 marrin prokurorë dhe gjyqtarë, që i ka përzënë Vettingu dhe janë objekte të OFL-së, e na i sjellin për t’i futur në Parlament”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës
Të zhgënjyerit nga partitë kryesore te opozitës, kryebashkiaku i fton ti bashkohen Partisë Socialiste më 25 prill.
Top Channel