Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se subjektet politike, ato që u certifikuan, por edhe ato që u refuzuan, tashmë janë njohur me vendimin e këtij institucioni.
Kjo është bërë e ditur për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar me pak fjalë vendimet që dolën nga mbledhja maratonike e një ditë më parë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka dërguar vendimet përkatëse atyre subjekteve politike që u është certifikuar lista e kandidatëve për deputetë, por edhe subjekteve që KQZ-ja refuzoi të certifikonte listën e tyre. Në arsyetim të vendimit janë dhënë arsyet e refuzimit të certifikimit. Një nga këto arsye është se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka rekomanduar në kundërshtim të plotë me nenin 29, germën ‘q’, të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme edhe pas njoftimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për personat të cilët kanë qenë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit”, tha Elezi.
I pyetur se çfarë kishte kërkuar Zyra për Regjistrim të Partive Politike e KQZ-së nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës Zyrës së Partive, Elezi tha se Zyra në mesin e gati 10 institucioneve që u ka shkruar ka qenë edhe KGJK-ja.
Sipas tij, njëra nga tri pyetjet që i është bërë këtij institucioni ka qenë edhe nëse ndonjëri nga 1,081 kandidatët nuk e plotësojnë kriterin në nenin 29 të pikës q, ku thuhet se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është “i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.
“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ ne nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose vend tjetër p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Prandaj, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka kërkuar nga KGJK-ja të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve ‘nëse janë gjykatës’; ‘nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat’ dhe ‘nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit’. Në përgjigjen që KGJK i ka kthyer Zyrës për Partitë Politike dhe Certifikim ka vërejtur se janë 47 kandidat që kanë vendime të formës së prerë në tri vitet e fundit”, bëri të ditur Elezi.
Elezi theksoi se pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten nga partitë politike dhe se ata do te presin për vendimin e këtij institucioni
‘’Pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni’’, deklaroi Elezi.
Top Channel