Foto / “Xhamia e Et’hem Beut në gjendje të shkëlqyer”, Veliaj ironizon PD: Po kriset në 5 copa, mundohet të panikosë besimtarët me mastiç

23/01/2021 19:50

Në rrjetet sociale sot qarkulloi një foto e minares së Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, në të cilën aludohej sikur ajo kishte pësuar një çarje.

Nga fotot e realizuara para pak minutash nga restauratorët e Xhamisë, shpjegohet se çarja e aluduar nga rrjetet sociale ishte një lëndë ngjitëse (mastiç), e cila u pastrua menjëherë.

Lajmi u përgënjeshtrua edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili publikoi edhe foto që tregojnë se objekti i kultit është në gjendje të shkëlqyer.

“Silikoni i vendosur mes çatisë provizore per punimet e restaurimit dhe minares se xhamise eshte pastruar ne pak minuta. As ka krisje, as ka shembje. Ketu po kriset nje parti ne 5 copa qe mundohet te panikose besimtaret me mastik, dhe po shembet një rrjet portalesh gjobash! TURP”, shkruan Veliaj.

“Faleminderit myslimanit Sami dhe të krishterit Sokrat që pastruan njollën e silikonit të histerisë nga xhamia e Et’hem Beut! Por lipset ndihma e çdo shqiptari të ndershëm që të heqë njollën e Saliut, Likes, Lulit e Monës nga trupi i Shqipërisë në 25 Prill!

Një spatul mjafton për të hequr silikonin mes minares e çatisë provizore pas restaurimit, por në mandatin tonë të tretë do duhet spatula e ligjit të heqë silikonin e politikës së lodhur e mantenutave në portalet e gjobave e TV e trafikantëve”, shkruan Veliaj në rrjete sociale ndërsa ka publikuar edhe foto ku duket qartë se xhamia pas pastrimit nuk ka asnjë krisje.

Top Channel