Në Bypassin e Vlorës janë realizuar afro 70% e punimeve dhe po vijohet me ritme të shpejta për të garantuar përfundimin në afatet e premtuara.

Tashmë puna ka nisur edhe në zonën e Kaninës dhe po vijon pavarësisht kushteve të motit. Ministrja Belinda Balluku dhe Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho inspektuan ditën e sotme punimet. Gjatë inspektimeve ministrja ka deklaruar rruga përfundon dhe do jetë gati para nisjes së sezonit veror 2021.

 “Pas një periudhe jo pak të vështirë porsa i përket procesit të shpronësimit, kemi nisur punën këtu në zonën më të komplikuar të këtij projekti dhe mesa shikoj edhe me ritme të shpejta madje. Thembra e Akilit do të thosha për pjesën e Kaninës. Dua të përmend që 7 kilometrat e para janë përfunduar me konglomerat, mbetet pa asfaltuar edhe 2.5 kilometra në pjesën e zonës së varrezave që vazhdon me ritme të larta. Duke u lidhur me zonën e Llogarasë dhe siç mirëfilltazi kuptohet  duke marrë rrugën duke ardhur nga Baypass i Fierit për tu lidhur me atë të Vlorës dhe për tu futur direkt në tunel, aksesi në jug do të jetë në pak minuta. Rruga përfundon dhe do jetë gati për përdorim para nisjes së sezonit veror 2021. Por, kompania që po realizon punimet ka premtuar se do ta përfundojë edhe para këtij afati”, tha Balluku.

Për Ramën dhe Lelin rruga do të bëjë të mundur një transformim për gjithë zonën.

“Janë 29 kilometra të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që lidhet me Bypass-in e Fierit, tashmë i përfunduar, për të vazhduar më pas me segmentin e ri Orikum-Dukat (nga Marina deri tek ura e Shën Elizës) dhe së shpejti edhe me tunelin e Llogorasë, duke bërë të mundur një transformim epokal për krejt zonën, si edhe për Shqipërinë Turistike 2030”, shprehet Rama.

Bypass-i i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale  bregdetare  Vlorë-Sarandë, duke ndikuar në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor,  nxitjen e agroturizmit si dhe lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës e sidomos gjatë sezonit të verës.

Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe përfundimi i kësaj vepre pritet të lehtësojë ndejshëm qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, në drejtim të bregdetit të jugut.

Top Channel