Kushtet e vështira në burgje/ Ish i burgosuri: As nuk bëhet fjalë për mish, frutat dhe ushqimet vijnë të kalbura, për çdo problem shëndetësor të japin vetëm paracetamol

21/01/2021 14:56

Disa të burgosur kanë dërguar letra ankesë në redaksinë e emisionit “Shqipëria live”, ku ankohen për kushte shumë të vështira dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Në letrat e tyre, të burgosurit shkruajnë se paguajnë çmime të larta për ushqimet dhe në fund i marrin të kalbura. “Paguajmë 900 lekë/kg për mish dhe është mish i zi, vjen erë të tmerrshme. Edhe djathi nuk hahet”, shkruan njëri prej tyre.

Nëpërmjet një telefonate anonime, një ish i burgosur në burgun 313 rrëfen: “Kam bërë 25 muaj burg. Ju siguroj që nuk ka asnjë lloj të drejte të burgosurve. Ushqimi është komplet skandal.  Kot flisni për mish, nuk ekziston. Fasulja është me miza. Djathi nuk hahet. Ushqimin e burgut e ha vetëm ai që nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Vetëm kur vjen kontrolli, autoritet përgatiten, vendosin doreza.

Nëse ke një problem shëndetësor, në spital nuk të çon njeri, edhe nëse je gati të shkosh me lekët e tua.

Nuk ka asgjë tjetër veç paracetamolit. Dentisti nuk bënte dot mbushje sepse nuk kishte pajisjet dhe materialet. Kam shkulur 3-4 dhëmballë sepse nuk m’i mbushte dot. Dushet nuk punojnë, disa herë ka ujë, disa herë jo”.

Ndërkohë, Femi Sufa nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve kundërshton këto akuza dhe thotë se ka pasur inspektime të vazhdueshme në burgje për t’u siguruar se janë kushtet e nevojshme.  “Ne zbatojmë normat e miratuara nga shteti. Nuk e kuptoj si thoni shkelen normat. Sistemi i burgjeve është inspektuar në 2017-2018, nga autoriteti ndërkombëtar për ndalimin e torturës”.

Prej gati një viti, të dënuarit nuk lejohet të takojnë të afërmit si një masë e ndërmarrë për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Sipas avokatit, Kujtim Cakrani, ky vendim bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Por, sipas Sufës, kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin e të burgosurve. Ai mjaftohet duke thënë se “për momentin kemi zgjatur telefonatat nëpërmjet Skype në 30 minuta”.

Sipas ish-të burgosurit, në burgun 313, ku ai ka vuajtur dënimin ka shumë probleme në lidhje me të drejtat e njeriut. “Nuk bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Nuk ka aktivitete. Me një dhomë që ka 2 krevate, rrinim 4 persona. Nuk ka shanse të respektohet hapësira për metër kub që i takon çdo personi në ambjentet e burgut.

 

Top Channel