Ilir Yzeiri në Top Talk/ Edi Rama “shkeli” mbi 21 Janarin duke bashkëqeverisur me Ilir Metën

21/01/2021 17:01

Analisti e konsideron të pafalshëm vendimin e qeverisë Rama që bëri pjesë të koalicionit të tij, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë kohë, Ilir Meta.

Arsyeja kryesore pse opozita, e drejtuar nga Edi Rama, doli në protestë mbarë kombëtare 10 vite më parë, ishte një video e publikuar mes zëvendës kryeministrit të kohës Ilir Meta dhe ministri i energjisë atëherë, Dritan Prifi, në një bisedë për afera korruptivë.

Por, qeveria Rama, që më parë kishte premtuar për “drejtësi për 21 janarin”, erdhi në pushtet në vitin 2013 në koalicion me Ilir Metën.

Analisti, Ilir Yzeiri thotë se ky ishte gabim i rëndë: “Nuk ka pragmatizëm në politikë kur shkelen parimet, nuk ka pragmatizëm me vdekjen. Është një nga gabimet më të rënda që ka bërë Edi Rama dhe Partia Socialiste. Ajo kauzë për të cilën u vranë 4 veta nuk e justifikonte qeverisjen e Ramës me Ilir Metën”.

Po ashtu, Yzeiri kritikon kandidimin e Agon Malaj në krye të Partisë Socialiste, pasi Malaj më parë ishte pjesë e gardës së Republikës, duke përfshirë këtu edhe datën 21 janar. “Nuk mendoj se Partia Socialiste e Matit kishte mbetur në hall për të promovuar një nga ata personat që ishte pjesë e grupit të zjarrit atë ditë. Për sa kohë që kjo çështje nuk është mbyllur ai person në opinionin publik është i paragjykuar dhe nuk ka asnjë rregullore që mund ta nxjerrë jashtë. Ndoshta nuk ka qenë ai ndër ata që ka qëlluar por moralisht në një çështje kaq të ndjeshme nuk është në nderin e PS-së që të aktivizojë në poste të tilla të larta siç është ajo e kryetarit të partisë të Matit”.

Top Channel