Drejtuesja e KQZ: Më kërcënuan/ Valdete Daka akuzon ata që u penguan të kandidojnë

21/01/2021 15:27

Pas informimit të publikut se Këshilli Gjyqësor ka rekomanduar largimin 47 emrat të partive politike nga listat e kandidateve për deputet, janë bërë kërcënime në drejtim të KQZ-së dhe kryetares së saj, Valdete Data.

Kështu ka deklaruar kjo e fundit, e cila përmes një konference për media tha se kërcënimet janë bërë nga partitë politike dhe individë dhe kanë për qëllim ta pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në Fuqi.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike. Mund të ndodh që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë-herë jo. Por, megjithëkëtë, këto vendime janë të bazuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin i organizojmë zgjedhjet. Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedentë dhe të rrezikshme.”

Daka nuk tregoi se nga cilat parti dhe persona ka pranuar kërcënime, duke mos pranuar as pyetje nga gazetarët.

Por, ka bërë apel se të gjithë personat që pretendojnë se u është bërë e padrejtë të ankohen në organet përkatëse.

“Unë, Valdete Daka nuk i kam shkruar dhe as votuar këto ligje, por si gjyqtare dhe si drejtuese e KQZ-së, i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë. Kushtetutën dhe Ligjet, të mira apo të këqija, kështu siç janë, i kanë votuar deputetët e partive tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

Deklarime publike për këtë vendim gjatë 20 janarit, bëri nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, që në një studio televizive tha se moscertifikimi i 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike dhe për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutuese.

Ndërsa anëtari tjetër, Xhelal Svelca kishte deklaruar se “Daka nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA