“79% e studentëve duan të largohen nga Shqipëria”/ Deklarata e 23 viteve më parë nga Neritan Ceka, aktuale edhe sot

21/01/2021 15:31

Studiuesi Neritan Ceka shpjegon arsyet përse të rinjtë duan të emigrojnë dhe çfarë duhet bërë sipas tij.

Në “Shqipëria live” u transmetua një deklaratë e vitit 1998 e Cekës: “Iniciativa të grupeve studentore për të emigruar mund të bëhen, por duhet të jetë e qartë që studentët duhet të shtrojnë kërkesa që lidhen me mungesat që ka arsimi ne Shqipëri, sidomos universiteti. Autonomia e universitetit akoma nuk është siguruar. Kushtet e jetesës së studentëve janë shumë më keq se më parë. Janë probleme që duhet të shtrojnë studentët me pedagogët e tyre. Diplomat tona janë larg diplomave të BE”.

Këto probleme që studiuesi evidenton 23 vite më parë janë problemeve të së tashmes gjithashtu. Situatën Ceka ia faturon politikës por jo vetëm. “Duhet të kemi parasysh që jo të gjithë fajin e ka politikani. Politikanët janë prodhim i elektoratit shqiptar.

Universitetet janë bërë pronë private e atyre që janë të lidhur me politikën. Ne nuk kemi kompromis mbi mënyrën si duhet të trajtojmë rininë tonë. Nuk kemi politika, që mos të jenë vetëm pjesë e propagandës elektorale. Largimi i kaq shumë të rinjve është humbje për vendin që ka investuar në edukimin e tyre, që nga kopshti, kam parasysh ata që marrin edukimin shtetëror”.

Studimi i publikuar disa ditë më parë nga ekspertët e çështjeve demografike, Ilir Gëdeshi dhe Rusell King treguan se 79% e studentëve (mosha mesatare 22 vjeç), që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit. Në anketimin që iu prezantua presidentit Ilir Meta, janë përfshijë 1650 studentë.

Sipas Cekës këto rezultate “nuk duhet t’i bëjmë tragjike por as t’i marrim me shaka”.

Top Channel