10 vite nga 21 janari/ Rrëfimi i një prej të mbijetuarve: Mundohem ta harroj ngjarjen por sa herë vjen data më kujtohet ajo që kam kaluar

21/01/2021 13:33

Artes Bybeli, është një prej të plagosurve rëndë në protestën e 21 janarit 2011.

Sipas tij, prokuroria “e ka harruar”, sepse as nuk e ka thirrur për të dëshmuar. “Askush nuk kërkoi dëshminë time. Në prokurori shkova me dëshirën time për të dëshmuar por më bënë disa pyetje rutinë dhe kaq. Më vonë, jam thirrur vetëm një herë në gjykatë kundër Agim Llupos, por nuk mund të dëshmoja kundër tij sepse nuk e di kush na qëlloi, ishte e pamundur të identifikoje dikë”.

Bybeli thotë se pret drejtësi: “Çdo 21 janar presim, presim për drejtësi por kjo është vetëm për show. Bëhen vetëm homazhe që na kujtojnë dhimbjen. Unë nuk kam pasur asnjë lloj mbështetje”, thotë ai lidhur me lajmin për rihapjen e dosjes së çështjes.

Ai është pesimist kur thotë se kjo ngjarje nuk do të hetohet plotësisht.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së Partisë Socialiste, që ishte atë kohe në opozitë. Ata sot kanë marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, familjarët përsërsin vazhdimisht apelin për drejtësi.

Ndërkohë së fundmi Policia e Tiranës ka kërkuar ditën e sotme rifillimin e hetimeve për 21 Janarin me një letër-kërkesë drejtuar prokurorisë.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha thanë se policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku i kërkohet ri-ekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.

Në letër-kërkesë kërkohet ri-ekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Kërkohet të kryhet ri-ekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letër kërkesë kërkohet të pyeten sërish të afërm të viktimave dhe dëshmitarë.

Top Channel