U konstatuan pa maska mbrojtëse/ Gjobiten 1307 qytetarë gjatë fundjavës

18/01/2021 15:24

13 shtetas që nuk kanë pranuar të tregojnë dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë pasi paraqitën mjetin e identifikimit.

Gjatë fundjavës janë ndëshkuar me masë administrative 1307 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

1303 qytetarë janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë pasi u evidentuan duke qarkulluar pa maskë mbrojtëse.

3 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, pa paraqitur  arsye të domosdoshme, janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave anticovid.

Gjatë fundjavës janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1307 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1303 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 13 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve në fundjavë janë konstatuar 3 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.

Top Channel