Norvegji/ 23 persona humbën jetën pasi kishin marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer

18/01/2021 15:02

Personat që ndërruan jetë ishin të moshuar mbi 80 vjeç.

Gazetari raporton për “Shqipëria live”: “Vaksinimi në Norvegji ka nisur në 27 dhjetor dhe janë vaksinuar gjithsej rreth 49 mijë qytetarë. Ata që kanë vdekur janë me sëmundje të tjera shoqëruese”.

Infermieri Nakil Abdiu thotë se ky lajm nuk ka shkaktuar panik te popullsia sepse personat kishin sëmundje të rënda dhe mundësia e humbjes së jetës ishte e madhe edhe po të mos merrnin vaksinën. “Këta njerëz kanë qenë në fundin e jetës së tyre. Besoj se shumica prej tyre mund të kishin ndërruar jetë edhe pa marrë vaksinën.

Këto vdekje nuk kanë shkaktuar panik për popullsinë dhe vaksinimi i popullsisë po vazhdon me ritme të mira”.

Vetë Abdiu e ka marrë dozën e parë të vaksinës një ditë pasi doli lajmi i vdekjes së 23 personave. “Të premten bëra vaksinën dhe ndihem shumë mirë. Pas publikimit të lajmit nuk e mendova fare, nuk kisha dyshime për të bërë vaksinën”, thotë ai.

Viktimat kanë pasur simptoma të ndryshme si ethe, të përziera dhe diarre.

Tashmë  në Norvegji po mendohet për një ndrydhim të skemës së vaksinimit, ndoshta duke përjashtuar të moshuarit me sëmundje të rënda.

Po mendohet të ndërrohet mënyra e vaksinimit. Ata që kanë sëmundje të pashërueshme të përjashtohen nga vaksinimi” thotë zoti Kovaçi, mjek shqiptar në Norvegji.

Vendimi për të marrë apo jo vaksinën do të bëhet në bashkëbisedim me familjarët e pacientëve”, sqaron Abdiu.

Top Channel