Kuvendi miraton Buxhetin 2027, 80 vota pro dhe 25 kundër pas debateve të forta mes mazhorancës dhe opozitës në seancën maratonë

19/11/2026 00:00

Pas afro 14 orësh debatesh dhe përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2027.

Projektbuxheti, me vlerë mbi 10 miliardë euro, mori 80 vota pro, asnjë abstenim dhe 25 vota kundër.

Seanca plenare u shoqërua me diskutime të shumta mes deputetëve të të dyja krahëve politikë, ku në qendër të përplasjes ishte mënyra e shpërndarjes së fondeve publike, mbështetja sociale, pensionet, bujqësia, turizmi dhe investimet.

Mazhoranca e cilësoi buxhetin si historik, duke theksuar rritjen e investimeve publike, dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, si dhe shtimin e financimit për sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja.

Nga ana tjetër, opozita e kundërshtoi projektbuxhetin, duke ngritur shqetësime për nivelin e mbështetjes sociale, mungesën e konsultimit me biznesin për paketën fiskale, taksat dhe efektet që ndryshimet fiskale mund të kenë te turizmi dhe profesionistët e lirë.

Gjatë diskutimeve nuk munguan as akuzat për korrupsion, replikat politike dhe kritikat për mënyrën se si qeveria menaxhon financat publike.

Top Channel