Bilanci tragjik i janarit, në dy javët e para 12 viktima dhe 40 të plagosur nga aksidentet rrugore

18/01/2021 14:30

140 aksidente rrugore janë regjistruar në javët e para të vitit 2021.
Pedagogu Mentor Kikia tregon në “Shqipëria live” aksidentin që pësoi pasi sipas tij kompania e ndërtimit që po punonte në rrugë nuk kishte vendosur sinjalistikën përkatëse. Kikia rrëfen si e penguan që të bënte denoncimin.

Një 10 vjeçare u godit për vdekje nga një aksident në rrugën “Ndje Mjeda” dhe 4 pjesëtarë të një familjes Avdiaj humbën jetën në një aksident automolistik në Rrugën e Kombit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton për “Shqipëria live”, të dhënat e policisë, duke krahasuar aksidentet rrugore të këtij muaji me janarin e vitit të kaluar. Ka një rritje të konsiderueshme të aksidenteve. “Gjatë muajit janar 2020 janë shkaktuar 86 aksidente, janë vrarë 8 persona dhe plagosur lehtë 94 persona. Ndërsa, këtë vit, deri tani kanë ndodhur 77 aksidente, ku janë vrarë 12 persona dhe plagosur lehtë 90 të tjerë. Jo zyrtarisht thuhet se hartës së aksidenteve i shtohet aksi rrugor i Fushë-Krujës dhe disa akse rurale. Këtë muaj mosrespektimit të rregullave i shtohen kushtet atmosferike.

Shumë përdorues të biçikletave po aksidentohen, pasi ende nuk ka qartësim të rregullave që duhen ndjekur”.

Sipas ekspertit për aksidentet rrugore, Gëzim Hoxha, duhet të kemi një strukturë të posaçme që merret me këto raste. “Të ketë një komision siç u ngrit një komision për Covid. Ne këtu ia lemë policisë, por nuk duhet të merret policia. Duke parë shkaqet, ky komision të nxjerrë një akt nënligjor, me qëllim që të rregullohet qarkullimi në rrugë”.

Pedagogu, Mentor Kikia tregon një rast personal, kur ka rrezikuar jetën në autostradën Lushnjë-Fier. “Ishin duke u bërë punime në autostradë, u përplasa sepse firma e ndërtimit që po kryente punime në rrugë kishte vendosur vetëm blloqe, asnjë sinjalizim tjetër. Kërkova ta padis kompaninë e ndërtimit por shefi i policisë tha lere se këtu çdo natë 4-5 makina përplasen dhe nuk ndodh asgjë“.  Sipas tij, kompanitë e ndërtimit në rrugë nuk mbajnë përgjegjësi për aksidentet rrugore që shkaktohen si pasojë e neglizhencës së tyre.

Top Channel