Foto ilustrim

Edhe pse vitin e kaluar qëndruam për disa muaj në karantinë dhe lëvizjet e automjeteve ishin rreptësisht të kufizuara, aksidentet rrugore nuk munguan në rrugët e vendit tonë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, 9248 aksidentet u regjistruan në 2020-tën, ku për pasojë humbën jetën 159 persona. Urgjenca shton se ky është një numër tejet i lartë duke marrë parasysh masat kufizuese të qarkullimit.

Kryeqyteti rezulton me numrin më të lartë të aksidenteve që ndodhën vitin e shkuar, me 2631 raste të regjistruara, më pas renditet qytetet si Vlora me 803 aksidente, Durrësi me 576, Elbasani me 458, Fieri me 442, ndërsa qytetet e tjera kanë regjistruar më pak raste.

Në vitin 2019, në rrugët e vendit humbën jetën 227 qytetarë, si pasojë e aksidenteve, ndërsa viti që lamë pas regjistroi 68 më pak të vdekur.

Sipas të dhënave, kryesisht këto ngjarje kanë ndodhur për shkak të parakalimeve të gabuara, shpejtësia e lartë, përdorimi i alkoolit por edhe i celularit gjatë drejtimit të makinës.

Megjithatë, sipas urgjencës kombëtare, shoferët duhet të bëjnë kujdes, pasi aksidentet kanë më shumë të vdekur sesa luftërat.

Të njëjtin apel, bën edhe policia rrugore, pasi tashmë jemi në sezonin e dimrit dhe qytetarët duhet të jenë të përgatitur duke qenë se është sezoni më i vështirë për qarkullimin e automjeteve. Shkak janë ngricat dhe reshjet e shiut.

Kujtojmë se dy ditë më parë, në rrugën e Kombit u shua një familje me katër anëtarë dhe e plagosur mbeti vajza e tyre 3 vjeçare. Ndërsa në Tiranë, u plagos një tjetër person, pasi automjeti i tij u godit nga një tjetër mjet. Shoferi i BMW-së siç shihet ishte me shpejtësi tejet të lartë dhe duke kaluar me semafor të kuq. Për këtë ngjarje, policia nuk pati asnjë reagim, edhe pse u rrezikua jeta e dy kalimtareve që shpëtuan mrekullisht.

Top Channel