Kushi takim online me arsimtarët e Diasporës: Përhapja e kulturës sonë tek brezat e rinj

15/01/2021 11:25

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka realizuar një bashkëbisedim online me Anëtarë të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës për të diskutuar rreth nevojave dhe mbështetjes së mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Kushi e ka cilësuar shumë të frytshëm këtë takim me dy prej anëtarëve të këtij këshilli, Prof. Sokrat Sinaj, kërkues shkencor prej vitesh në Zvicër, dhe Dr. Adriana Fishta-Bejko, mësuese me përvojë dhe pedagoge në Kanada.

“Gjatë takimit diskutuam rreth nevojave të ndryshme të diasporës në funksion të mbështetjes së mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, veçanërisht tekstet shqipe, abetaren dhe mësuesit shqiptarë, të cilët me shumë përkushtim e pasion po kontribuojnë pa u ndalur në mësimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e kulturës sonë tek brezat e rinj që jetojnë në diasporë”, tha ministrja Kushi.

Ata ndër të tjera, kanë ndarë edhe pikëpamjet rreth hapave konkrete që duhet të ndërmerren me qëllim integrimin e mëtejshëm të diasporës shkencore dhe intelektuale në çështje që lidhen me fusha të ndryshme si arsimi, shkenca, kultura etj.

Top Channel