Makina e mbretit të Belgjikës është goditur me gurë dje gjatë trazirave të dhunshme në kryeqytetet, të organizuara kundër vdekjes në dorë të policisë të një të riu me ngjyrë.
Automjeti civil i mbretit të vendit u godit nga gurë teksa demonstruesit qëllonin me objekte ndaj policëve. Këta të fundit thanë se kishin bërë 116 arestime.
Mediat vendase raportuan se makina mbretërore e pashënuar ishte përfshirë nga protestat teksa kalonte prapa një kordoni të policisë, por protestuesit nuk e kishin idenë se në të ndodhej mbreti i vendit.
Pallati mbretëror tha se mbreti nuk u vu në rrezik pasi shoferi ndryshoi rrugën prej protestave dhe kishte mbrojtjen e policisë.
Autoritetet në Belgjikë kanë kërkuar hetim për vdekjen e papritur të 23 vjeçarit ‘IB’, i cili u ndalua në rrugë javën e shkuar dhe u dërgua më pas në një stacion policie në Bruksel, ku gjeti vdekjen.
Menjëherë pas daljes së lajmit qindra protestues u mblodhën në qendër të kryeqytetit dhe mbrëmë tentuan t’i vënë zjarrin stacionit të policisë ku vdiq 23-vjeçari fatkeq, mbrëmjen e të shtunës.
Fillimisht demonstruesit po marshonin paqësisht duke kërkuar drejtësi për ‘Ibrahima’, para ardhjes së policisë që tentoi të shpërndante protestuesit me spraj djegës. Demonstruesit reaguan duke qëlluar ndaj policëve, duke shkatërruar objekte publike dhe vitrina dyqanesh.
Policia tha: “Një grup demonstruesish (50-100 njerëz) nuk u shpërndanë dhe shkaktuan incidente e degradime. Disa oficerë policie u plagosën në përleshjet.”
Autoritetet shtuan se viktima I.B. u arrestua sepse kishte tentuar të largohej nga oficerët e policisë që po kontrollonte grumbullimet e njerëzve në lidhje me rregullat e koronavirusit.
Mediat blege thanë se I.B. ishte arrestuar sepse kishte regjistruar oficerët me celularin e tij kur ata i kërkuan mjetin e identifikimit.
Top Channel