Sondazhi/ Tre të katërtat e votuesve amerikan thonë se demokracia po kërcënohet

13/01/2021 02:30

Afro tre të katërtat e votuesve amerikanë thonë se demokracia është nën kërcënim pas sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të ri nga Universiteti Quinnipiac.

Sondazhi në shkallë vendi i votuesve të regjistruar, përfundimet e të cilit u bënë publike të hënën, arrin në përfundimin se një numër i madh votuesish republikanë dhe demokratë besonin se demokracia është nën kërcënim, 77% dhe 76% respektivisht. Të pavarurit ishin pak më pak të prirur të bien dakord me 70%.

Shumica e votuesve, 56%, thanë se e konsideronin Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përgjegjës për sulmet në Kapitol javën e kaluar, ndërsa 42% thanë se nuk e konsideronin atë përgjegjës. Një shumicë votuesish, 52% thanë se zoti Trump duhet të shkarkohet para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kundrejt 45 për qind që thanë të kundërtën. Megjithatë kur u pyetën në bazë të përkatësisë partiake, shumica dërrmuese e republikanëve, 87%, u shprehën se zoti Trump nuk duhet të hiqet nga detyra, ndërsa shumica dërrmuese e demokratëve, 89%, thane se ai duhej të hiqej. Ndër të pavarurit 55% favorizonin largimin dhe 43% ishin kundër tij.

Votuesit u ndanë sipas vijave partiake edhe lidhur me pyetjen nëse kishte apo jo manimpulim të gjerë votash në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, siç ka pretenduar zoti Trump. 73% për qind e republikanëve thanë se kishte mashtrim të gjerë në votime kundrejt 21% që thanë se nuk kishte, ndërsa 93% e demokratëve thane se nuk kishte manipulime, kundrejt 5% të tyre që thanë se kishte. 60% e të pavarurve nuk besojnë se ka pasur mashtrim të gjerë të votuesve, ndërsa 30%, besojnë se ka pasur.

Votuesit ishin të ndarë lidhur me pyetjen nëse e konsideronin sulmin në Kapitol grusht shteti. 47 për qind thanë se mendonin se ishte një përpjekje për grusht shteti, 43% thanë se nuk mendonin se ishte dhe 10% nuk ishin të sigurt.

Për disa pyetje, votuesit ishin pothuajse në një mendje, përfshirë edhe pikëpamjen se individët që sulmuan Kapitolin duhet të mbahen përgjegjës, me 91% të të anketuarve dakord me këtë vlerësim,

Votuesit gjithashtu ranë dakord gjerësisht, 81% për qind pro dhe 12% kundër, që ekstremizmi është një problem i madh në Shtetet e Bashkuara. Lidhur me ardhjen në pushtet të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, vetëm 31% e votuesve besojnë se ai do të jetë në gjendje të bashkojë vendin ndërsa 56% thanë se parashikojnë që ndasitë partiake të mbeten të pandryshuara. 14 përqind thanë se nuk ishin të sigurt. Në sondazh u anketuan 1,239 votues të regjistruar në të gjithë vendin nga 7 deri më 10 janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA