Tiranë/ Arrestohen 6 persona, mes tyre një 30-vjeçar që kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur

11/01/2021 10:27
Foto Ilustruese

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë pasi kanë kryer vepra të ndryshme penale. Mes tyre është një 30-vjeçar, i cili akuzohet për “Dhunë në familje”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”.

Edhe një 54-vjeçar është arrestuar për dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes e fëmijëve të mitur. Ndërkohë, janë arrestuar edhe dy të rinj në vendin e quajtur “Ura e Gjolës” pasi shoferi ishte në gjendje të dehur dhe në makinë kishte sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë.

Policia e Tiranës ka arrestuar edhe  dy persona të tjerë, të moshës 30 dhe 38 vjec, pasi po drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit.

Njoftimi i plotë

Tiranë/ Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim.

Arrestohen në flagrancë edhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 3 u bë kapja dhe ndalimin e shtetasit Sh. K., 43 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Vjedhja”.

Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve V. K., 33 vjeç dhe E. M., 27 vjeçe, pasi në pikën e kontrollit në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, është ndaluar për kontroll mjeti me drejtues shtetasin V. K dhe pasagjere shtetasen E. M. Gjatë kryerjes së testit alkoolit, shtetasi V. K. ka rezultuar i dehur në masën 0.88 mg/l. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të shtetasve V. K dhe E. M. u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L(B). S(K)., 30 vjeç, pasi ka konsumuar veprat penale “Dhuna në familje”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. P., 54 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të mitur të tyre.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. K., 30 vjeç, dhe E. Gj., 38 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel