Ndërtimi i spitalit rajonal në Fier/ Kryebashkiaku takim me pronarët e tokës: Ligji i shpronësimit s’kërkon pëlqimin tuaj

11/01/2021 12:30

Pronarët e tokave që do të  shpronësohen për t’i hapur rrugë ndërtimit të spitalit rajonal të premtuar nga presidenti i Turqisë nuk pranojnë të dorëzojnë tokat.

Sa i përket çmimit për metër katror, Subashi thotë se po pret konfirmim nga ministria. Banorët thonë se çmimi 2600 lekë metri katror, është çmim qesharak. Këmbënguljes së banorëve se nuk kanë tokë për të shitur, Subashi iu përgjigj se nuk do e shesin por do të shpronësohen.

Toka është buka jonë, është mënyra e vetme e jetesës, nuk duam t’ia japim shtetit”, i thonë pronarët e tokave Armando Subashit, kryetarit të bashkisë Fier.

Ne nuk kemi tokë për të shitur. Nuk duam të na merret me dhunë”, thotë një tjetër qytetar.

Dëmshpërblimi do të jepet sipas ligjit. Ligji i shpronësimit nuk kërkon pëlqimin e pronarit, bëhet sipas afatit, pronarët marrin lekët dhe bëhet shpronësimi.”, sqaron Subashi.

I pyetur nga pronarët e tokave se pse spitali do të bëhet në atë vend dhe jo diku tjetër, kryetari i bashkisë Fier, thotë: “U zgjodh ky varianti sepse është terren fushor,ndodhet pranë by-pass-it dhe pranë rrotontos, ku  mund të vijnë më lehtë të gjithë. Bëhet fjalë për një vepër të madhe publike”.

Pronarët shprehen të vendosur se nuk do të negociojnë në asnjë mënyrë për çmimin e tokave. “Nëse marr dëmshpërblimin, kur ato para do të mbarojnë, me çfarë do të jetoj unë, s’kam asnjë mënyrë tjetër banesë”, pyet një pronar i një prej tokave që përfshihen në planin e spitalit.

Unë jam i gatshëm të diskutoj, do të shikojmë sa toka prek gjurma e projektit, të shohim tokat e mbetura dhe të bëjmë dëmshpërblimin”, deklaron Subashi.

Sa i përket çmimit për metër katror, Subashi thotë se po pret konfirmim nga ministria. Ndërkohë, banorët thonë se çmimi 2600 lekë për metër katror, është çmim qesharak.

Sipas korrespodentit të Top Channel në Fier, janë 10 familje që preken. Kujtojmë se presidenti i Turqisë, Recep Taypp Erdogan i premtoi kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Ankara, se më 7 prill spitali rajonal i Fierit do të jetë gati.

Më 9 janar, Rama shkoi në Fier për të caktuar vendin ku do të  hidhen themelet e spitalit të ri. Rama theksoi se pas përcaktimit të zonës, me  pronaret e tokës do lidhet marrëveshje për shpronësimin e tyre.

Top Channel