“Kam 1000 të dashura”/ Predikuesi televiziv dënohet me 1,075 vjet burg për krime seksuale (Fotot)

11/01/2021 20:36

Adnan Oktar ishte ndaluar në vitin 2018 së bashku me rreth 200 të dyshuar të tjerë nga grupi i tij që predikonte “Teorinë e Krijimit”.

Një gjykatë në Turqi ka dënuar sot me më shumë se 1000 vjet burg një predikues musliman i cili e rrethonte veten me gra thuajse të zhveshura, të cilat i quante “kotele”.

Adnan Oktar ishte predikues i “kreacionizmit” dhe vlerave konservatore, ndërsa në studion e tij televizive disa vajza me kostume mjaft provokuese – shumica e të cilave dukej që kishin bërë kirurgji plastike – kërcenin rreth tij me muzikë ritmike.

64-vjeçari me mjekër dhe të tjerët, ishin ndaluar në 2018, si pjesë e fushatës kundër krimeve financiare të grupit, tha policia e Stambollit.

Por lideri u dënua 1,075 vjet burg për krime si sulm seksual, abuzim të miturash, mashtrim, si dhe tentativë spiunazhi politik e ushtarak, tha rrjeti privat turk NTV.

Ndërsa dy drejtues të organizatës së Oktar, Tarkan Yavas e Oktar Babuna, u dënuan respektivisht me 211 e 186 vjet burgim.

Agjencia shtetërore Anadolu tha se Oktar u shpall fajtor dhe për mbështetje të një grupi të lidhur me klerikun disident turk Fethullah Gulen, të cilin autoritetet e fajësojnë për grushtin e dështuar të shtetit në 2016.

Rreth 236 të akuzuar u përballen me akuzat, 78 prej të cilëve janë dërguar në paraburgim.

Oktar kishte dhënë me heret në gjyq se kishte rreth 1,000 të dashura.

“Ka një dashuri të madhe në zemrën time për vajzat. Dashuria është një cilësi muslimane,” kishte thënë ai në një sesion televiziv në tetor, ndërsa në një tjetër rast kishte shtuar: “Jam shumë potent”.

Oktar ishte njohur më parë si lider i një sekti të përfshirë në një seri skandalesh seksuale.

Rrjeti i tij televiziv online A9 nisi të transmetonte në 2011, dhe mori denoncime të shumta nga udhëheqësit fetarë në Turqi.

Megjithse stacioni gjobitej shpesh nga enti rregullator turk RTUK, ai është mbyllur vetëm pas operacionit të fundit të kapjes së grupit të Oktar.

Një nga vajzat që dëshmoi në gjyqin e tij tha se Oktar kishte abuzuar vazhdimisht me të dhe me vajzat e tjera.

Disa nga vajzat e përdhunuara thanë se ishin detyruar të merrnin tableta kontraceptive. Dëshmitarja tha se ishte bashkuar në grup kur ishte 17 vjeçe.

I pyetur për rreth 69,000 tableta kontraceptive të gjetura në shtëpinë e tij nga policia, Oktar tha se përdoreshin për të trajtuar irritime të lëkurës apo menstruale.

Autoritetet turke kanë shembur vilën e Oktar në anën aziatike të Stambollit, të cilën e përdorte dhe si studio TV, dhe kanë konfiskuar pasuritë e tij në 2018.

FOTO GALERI
1/7
Oktar predikonte “Teorinë e Krijimit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA