Grupi i të rinjve i bën pritë shoferit në SHBA, sulmojnë makinën dhe e filmojnë, shoferi merr përpara motorin për t’u shpëtuar
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një tjetër nismë për të kufizuar fuqinë e gjyqësorit, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë e SHBA-së të kufizojë kompetencat e gjyqtarëve për të bllokuar vendimet dhe rregulloret e administratës federale në nivel kombëtar.
Departamenti i Drejtësisë ka paraqitur një apel në Gjykatën e Lartë, ku kërkon që gjykatat të mos kenë më të drejtën të shfuqizojnë në tërësi rregulloret e agjencive federale, edhe kur ato konsiderohen të paligjshme. Sipas administratës Trump, vendimet gjyqësore duhet të zbatohen vetëm për palët që kanë ngritur padinë dhe jo për të gjithë qytetarët apo subjektet e tjera.
Kjo përpjekje vjen pasi administrata Trump është përballur me qindra padi që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, në janar 2025. Kundërshtimet ligjore kanë përfshirë politikat për emigracionin, dëbimet masive, programet e diversitetit dhe të drejtat e personave transgjinorë.
Në qershor të vitit 2025, Gjykata e Lartë kishte kufizuar tashmë kompetencat e gjyqtarëve për të nxjerrë urdhra me efekt kombëtar, të cilët pengojnë qeverinë të zbatojë një politikë ndaj të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm ndaj personave që kanë paraqitur padinë.
Tashmë, Trump kërkon të kufizojë edhe një tjetër mekanizëm ligjor, që u lejon gjykatave të rrëzojnë rregulloret e agjencive federale në bazë të Aktit të Procedurave Administrative (APA), një ligj i vitit 1946 që përcakton mënyrën se si funksionojnë këto institucione.
Çështja që ka mbërritur në Gjykatën e Lartë lidhet me rregullat për faturat e papritura mjekësore, të cilat synojnë të mbrojnë pacientët nga tarifat e larta të spitaleve dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore jashtë rrjetit të sigurimit.
Sipas Reuters, një grup ofruesish të shërbimeve mjekësore në Teksas e kundërshtoi rregulloren, duke pretenduar se ajo shkelte ligjin dhe ulte artificialisht pagesat nga kompanitë e sigurimeve. Në gusht, Gjykata Federale e Apelit rrëzoi disa pjesë të saj në nivel kombëtar.
Administrata Trump nuk po kundërshton në apel nëse rregullorja ishte apo jo e ligjshme, por kërkon që efekti i vendimit gjyqësor të kufizohet vetëm te palët që kanë ngritur padinë.
Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se, nëse Gjykata e Lartë pranon kërkesën e administratës, qeveria mund të vazhdojë të zbatojë rregullore në shkallë kombëtare, edhe kur ato janë shpallur të paligjshme nga gjykatat, me përjashtim të palëve që kanë fituar çështjen.
Edhe disa shtete amerikane, mes tyre Teksasi dhe Florida, kanë kundërshtuar kufizimin e këtyre kompetencave, duke argumentuar se Akti i Procedurave Administrative është një instrument thelbësor për të mbrojtur shtetet nga ndërhyrjet e tepruara të qeverisë federale.
Top Channel