Japoni, 80% e publikut kërkon anulimin ose shtyrjen e Lojërave Olimpike

11/01/2021 09:46

Sipas një hulumtimi të kryer në Japoni, rreth 80% e popullatës mendon se Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, të planifikuara të mbahen në këtë qytet në korrik, duhet të anulohen ose riprogramohen.

Gjatë fundjavës, agjencia Kyodo zhvilloi një anketë telefonik me më shumë se 700 votues të zgjedhur rastësisht dhe mbi 1.200 posedues të numrave celularë.

Më shumë se një mijë pjesëmarrës iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me pasojat socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit (Kovid-19), mbështetjes publike ndaj qeverisë dhe Lojërave Olimpike të Tokios.

Të pyetur në lidhje me organizimin e planifikuar të mbahet në Tokio në fund të korrikut, 35,3 për qind e pjesëmarrësve u përgjigjën se ai “duhet të anulohet” dhe 44,8 për qind “duhet të shtyhet përsëri”.

Sipas anketës, shkalla e personave që nuk ishin të kënaqur me masat qeveritare kundër COVID-19 ishte 68,3 për qind, ndërsa pjesëmarrësit që deklaruan se lufta kundër pandemisë është zhvilluar në një nivel të mjaftueshëm ka mbetur në 24,9 për qind.

79,2 për qind janë shprehur se gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në Tokio dhe përreth ishte e vonshme, kurse 78 për qind deklaruan që kornizat e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të zgjerohen.

Teksa shkalla e personave që e konsiderojnë të mjaftueshme periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë rreth një muaj, ishte 39,8 për qind, shkalla e pjesëmarrësve që mendojnë se periudha është e shkurtër ishte 46,6 për qind.

Bie mbështetja publike ndaj kryeministrit Suga

Mbështetja publike për kryeministrin Suga Yoshihide, i cili mori detyrën në shtator të vitit 2020, ishte 41,3 për qind, 9 për qind më pak në krahasim me një sondazh të kryer në dhjetor.

Ndjenja të “mospëlqimit” ndaj tij kanë shprehur 42,8 për qind e të anketuarve, ndërsa si shkaktarë kryesor është përmendur “mungesa e lidershipit në luftën kundër pandemisë”, me 41,2 për qind.

Mbështetja publike ndaj Suga-s, e cila ra nga 66 për qind në shtator në 60 për qind në tetor dhe u rrit në 63 për qind në nëntor, ra në 50 për qind në fillim të dhjetorit.

Zgjedhjet e zakonshme në Japoni janë planifikuar të mbahen në tetor të këtij viti, kur përfundon mandati katërvjeçar i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Top Channel