Maurizio Pochettino gjen fitoren e parë në pankinën e Paris Saint Germain, teksa pas barazimit në transfertën ndaj Saint Ettiene, mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Brestin në “Parc des Princes”, në ndeshjen e parë në shtëpi.

Sulmuesi italian Moise Kean zhbllokoi sfidën në minutën e 16’ ndërsa në pjesën e dytë skenën e mori argjentinasi Mauro Icardi, i cili la pas dëmtimin dhe u rikthye me një gol dhe një asist për Sarabian, që vulosën edhe suksesin.

Lyoni nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 në transfertën ndaj Rennes, rezultat që ishte si një fitore për nga mënyra sesi erdhi, pasi skuadra e Rudy Garcias reagoi dhe riktheu baraspeshën, ndonëse ishte në disavantazh të dy golave. Në barazim pa gola ngeci edhe Marseille në transfertën ndaj Dijon, ndërsa një gol i turkut Yilmaz i dha fitoren minimale 0-1 skuadrës së Lille, në sfidën e zhvilluar në “Stade des Costieres” të Nimes.

Vijon të fitojë edhe Monaco, që mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Angersin në stadiumin “Louiss II” dhe ngjitet në vendin e katërt me 33 pikë, 7 më pak se Lyoni që kryeson renditjen.

Top Channel