Vllaznia merr një tjetër 3-pikësh/ Shkodranët i shkaktojnë humbjen e parë Teutës në këtë kampionat

08/01/2021 23:23

Vllaznia shkëputet akoma më shumë në krye të Superligës falë një fitoreje të rëndësishme përballë Teutës, e cila deri në këtë javë ishte e pathyeshme në Superligë. Një ndeshje e dominuar nga skuadra shkodrane.

Në pjesën e parë ishin disa raste të ekipit të Bërdaric për të shënuar, por deri diku ishin të pafat, pasi arritën të godisnin edhe shtyllën me Dilaver.

Edhe pjesa e dytë me të njëjtin ritëm, më tepër raste për shkodranët, deri sa arritën të konkretizojnë në minutën e 59-të kur Hoxhaj zhbllokon takimin, një gol që rezultoi, goli i fitores dhe tre pikëve. Gjërat u vështirësuan për skuadrën shkodrane pasi pak minuta më pas, autori i golit, pikërisht Ardit Hoxhaj ndërhyn me takën lartë ndaj Pjeshkës duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Nga minuta e 65 kur mbetën në inferioritet numerik, skuadra Shkodrane u detyrua të menaxhojë avantazhin gjë që e bëri mirë deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit. Me këtë fitore skuadra e Vllaznisë kalon një kundërshtar shumë të fortë duke fituar më tepër besim tek kjo udhëheqje që po i bën kampionatit në këto 13 javë.

Top Channel