Takimi Rama-Erdogan, kryeministri: Turqia krah nesh edhe gjatë pandemisë, jo si disa shtete të tjera

06/01/2021 17:02
Kryeministri i vendit, Edi Rama

Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Ankara të Turqisë në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Recep Tayyip Erdoğan.

Ai ka falënderuar Turqinë për ndihmën e dhënë  pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019 që la pa shtëpi mijëra familje.

Rama theksoi se Erdogan nuk veproi si shumë shtete gjatë pandemisë që ndaluan qarkullimin e ndihmave për Shqipërinë, por e mbajti fjalën edhe pse ndodhej në një periudhë të vështirë si e gjithë bota.

“I jam mirënjohës presidentit për bisedimin kokë më kokë dhe për kohën e një sërë çështjesh por mbi të gjitha dua të shpreh mirënjohje për të dhe popullin turk për reagimin e menjëhershëm duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik ndërkohë që një tjetër tërmeti e kishte lëkundur Shqipërinë dy muaj më parë. Ai ishte i pari që u angazhua në procesin e rindërtimit dhe i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirjeje duke bërë të mundur mbledhjen e një kontributi për shqiptarët. Dua të theksoj faktin që solidariteti i Turqisë mike nuk ka qenë vetëm kur Turqia ka pasur një problem të vetin por edhe kur u godit nga covid i qëndroi pranë Shqipërisë nuk veproi si disa shtete që mbyllën në shtëpi vendin dhe ndaluan kalimet e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Ishte shumë domethënëse për ne. Edhe pse Turqia u godit nga tërmeti dhe u gjend në domosdoshmëri, ua kam shprehur ngushëllimin dhe dua t’ja shpreh edhe sot, nuk e  bëri të ndalonte aspak projekti që po zhvillohet në mbështetje të tij dhe në këqyrje të ministrit Muratit. Gjeti kohë të vijë në Tiranë dhe të jetë i pranishëm në të gjitha diskutimet tona”, tha Rama.

Kujtojmë se Turqia është një ndër partnerët më të ngushtë të vendit tonë, pas kalimit të dy periudhave më të vështira, atë të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19.

Top Channel