“Basha e bëri i pari”/ Fotot e dyshimta të liderëve me Trumpin: Vogëlsi e liderëve. Kapri: Ja triku që ka shpikur stafi i Shtëpisë së Bardhë

18/11/2026 23:31

Një fotografi me presidentin amerikan Donald Trump, apo një takim i vërtetë me të? Episodi i fotografive identike të disa liderëve politikë, përfshirë Ramën dhe Kurtin, me kreun e Shtëpisë së Bardhë ka nxitur komente dhe ironi në studion e Top Story me Grida Dumën.

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, dhe ai i Partisë Mundësia, Erald Kapri, komentuan atë që e cilësuan si një procedurë protokollare për fotografitë gjatë Asamblesë së OKB-së, ndërsa analisti Arjan Curri e interpretoi si shenjë të inferioritetit dhe dëshpërimit të liderëve për një imazh pranë presidentit amerikan.

“Të them të drejtën mendova se ishte bërë ndonjë propagandë nga opozita. Nëse kanë shkuar e janë takuar me atë letrën aty, ata nuk janë mirë pastaj”, tha Klevis Balliu, duke qeshur.

“Prej dekadash kur presidentët e Amerikës takojnë liderët botërorë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara që bëhet çdo shtator, e për shkak se ka me dhjetëra e qindra liderë, e nuk kanë kohë. Stafi i Shtëpisë së Bardhë ka shpikur një trik procedurial që është pjesë e protokollit. Kush do foto me presidentin, të qëndrojë statik para flamujve. Nuk ka kohë presidenti të takojë 100 liderët botërorë”, tha Kapri.

“Është vogëlsia e liderëve të vendeve të vogla. Këta janë kaq të dëshpëruar të kenë një foto me kartonin e presidentit saqë shkojnë atje dhe bëjnë sikur buzëqeshin. Nuk është statujë dylli. Këta janë po aq inferiorë sa popujt që përfaqësojnë. Edhe nëse populli e merr vesh se ka bërë foto me kartonin, janë të lumtur. Basha e bëri i pari”, tha Curri.

Top Channel