“Trump bën çfarë të dojë”, analisti Curri në Top Story: Ai arriti që t’i imponohej dhunshëm edhe partisë së tij
Historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e lidhur ngushtë me emrat e presidentëve që kanë përcaktuar momente kyçe për fatin e vendit tonë.
Nga Woodrow Wilson, që mbështeti çështjen shqiptare, te George W. Bush dhe Bill Clinton, roli amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin historik të Shqipërisë. Por cilët presidentë amerikanë kanë lënë gjurmën më të fortë në historinë tonë dhe si e ka ndikuar politika e Uashingtonit zhvillimin e Shqipërisë?
Në studion e Top Story me Grida Dumën, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ndalet te Ronald Reagan si një prej figurave që vlerëson më shumë, ndërsa kujton edhe kontributin e presidentëve amerikanë në mbështetjen e demokracisë shqiptare dhe çështjes së Kosovës.
Klevis Balliu: “Si pikëpamje politike do ndaloja te Reggan, më ngjit më shumë se të tjerët. Ishte i pari që u përball me problemin tonë më të madhe që kemi ne si komb, që është komunizmi. Ai ka bërë vetting-un më të pastër të së majtës në SHBA dhe ka bërë parashikimet më absolute në lidhje me si do të zhvillohej e majta në kohët e ardhshme.
Ka thënë një deklaratë që nëse do të vijë fashizmi apo komunizmi, ekstremitetet e majta në Amerikë, do të vijnë në formën e liberalizmit. E ashtu ndodhi. Në këtë aspekt ndalem tek Reagan. Patjetër që Wilson mbetet arsyeja themelore që Shqipëria është Shqipëri se në të kundërt askush nga ne mund të mos ishte këtu. Patëm ndarjen e fundit me SHBA gjatë monizmit me presidentin Truman.
Pati një tentativë nga CIA që fatkeqësisht na e prishi për të larguar Enver Hoxhën më përpara. E pastaj kur erdhi demokracia, për historinë e Shqipërisë familja Bush luan një rol themelor në zhvillimin tonë demokratik. George Bush që takoi kryeministrin Berisha, ku u diskutua dhe filloi puna konkrete për dhënien e Pavarësisë së Kosovës.
Lufta e drejtuar nga Clinton nuk ka diskutim që ishte për ne pjesa më jetike si komb, lufta për Kosovën. Pa SHBA nuk mund ta bënim. Presidenti Clinton ka thënë në një intervistë që një nga arsyet e ndërhyrjes ishte dhe botimi i profesoreshës shqiptare, e cila bashkë me motrën e vet kanë qenë shoqe të ngushta me Nënë Terezën, e cila ishte një avokate e jashtëzakonshme e Kosovës. SHBA na ka dhënë shumë, por ne kemi gabuar në disa çaste për interesa fare të vogla, diku politike, diku dhe nga padija. Kemi bërë disa abuzime dhe nuk kemi ditur të shfrytëzojmë një ndihmë kaq të madhe për një shtet kaq të vogël që jemi”.
Top Channel