“S’ka respekt për Skënderbeun”, Gjekmarkaj: E papranueshme! Kryeministri shqiptar u përulet ushtarëve me uniformë otomane

06/01/2021 22:37
Analisti Agron Gjekmarkaj

Vizita e kryeministrit Edi Rama ditën e sotme në Turqi ka shkaktuar reagime dhe debate të ashpra në vendin tonë.

Kjo është tema e diskutimit në Open në Top Channel. Analisti Agron Gjekmarkaj tha në Open se gjesti i Ramës para uniformave ushtarake otomane është një gjest i ulët i një kreu shteti shqiptar, për vetë historinë e shkuar që kemi me perandorinë otomane.

“Kjo ishte një vizitë e dëshpëruar për të qëndruar në pushtet. Shiko, nuk është se bëri keq, nuk është gjë negative që të kemi marrëdhënie të mira me Turqinë, sepse është një nga vendet më të fuqishme, është fuqi botërore. Por nga ana tjetër unë nuk pranoj që kryeministri im të përulet para uniformave otomane. Nuk e di nëse është në protokollin e shtetit turk, por nuk njoh ndonjë kryeministër që t’i përulet uniformave otomane. Ky vend ka antagonizëm të madh me Europën. Europa nuk e do brenda saj për shkak të fesë, të politikave që ndjek Turqia, qasja që ka në rajon dhe në botë. Nëse t’i mendon se ndërtimi i një spitali, restaurimi i një xhamie, një universitet apo ku di unë, është më e rëndësishme se sa itegrimi në BE, nëse për dy kacidhe vëmë në diskutim boshtin strategjik Berlin-Bruksel-Uashington, jemi të humbur. Erdogan ka simpati për Ramën sepse sheh të ngjashmin e tij në Ballkan. Një vend pa zgjedhje, policia si në diktaturë, s’ka liri. Ky s’ka respekt për Skënderbeun që i pëlqen shumë t’i ngjajë, s’ka respekt për luftën e shqiptarëve ndaj perandorisë osmane”, tha Gjekmarkaj.

Top Channel