‘Presidenti bllokoi projektin Vlorë-Orikum’, Meta-Ramës: S’pati negociata, nuk u kërkua autorizimi im

05/01/2021 19:28

Mos dakordësia e presidentit Ilir Meta për të lëshuar auturizimin e negocimit të një huaje me vlerë 30 milion dollarë për rehabilimitin e aksit Vlorë Orikum, është shkaku i përplasjes më të re të qeverisë me presidencën.

Ministria e Financave në shtator 2020 i kërkoi Presidentit, lëshimin e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes së Huasë nga fondi Saudit për Zhvillim, për këtë projekt.

Në përgjigjen e presidentit Ilir Meta të 4 janarit 2021 thuhet se qeveria, ka shmangur gjithë procedurat e brendshme ligjore duke e bërë fakt të kryer financimin e këtij projekti, pa negociuar më parë kushtet e financimit të tij. Presidenca i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të pajiset me një autorizim për të zhvilluar një proces kushtetues negocimi me fondin Saudit, e më pas në përfundim të rezultatit të negocimit dhe pas miratimit nga Qeveria të kërkojë autorizimin e Presidentit, për nënshkrimin e marrëveshjes së huasë.

Për këtë çështje pasditen e sotme presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp, ku ka akuzuar Kryeministrin Rama se ka vënë në rrezik serioz shtetin lidhur me marrëveshjen që Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim për rehabilitimin e objekteve në aksin Vlorë-Orikum përmes huasë së marrë nga Fondi Saudit i Zhvillimit. Meta thotë se kjo është një gënjeshtër e madhe dhe se presidenti ka kërkuar disa herë informacion lidhur me këtë marrëveshje të re dhe nga ministria e Financave ka marrë përgjigjen se kjo është kryer pa negociata në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Në të gjitha drejtimet, të gjitha rrugët janë në shkelje të kushtetutës dhe të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare. Në çdo rast vihet në dyshim mbrojta e interesave të qytetarëve pasi janë ato që i paguajnë në fund borxhet dhe huatë“, tha Meta.

Rama në një shfaqje teatrale deklaron me zë e figurë thotë që i ka bërë të gjitha negociatat me Fondin Saudit për Zhvillim. Zotëria thotë që ka bërë të gjitha negociatat, MFE thotë që s’ka pasur.

Si konkluzion i gjithë kësaj maskarade, duket qartë që ose janë kryer negociata siç thuhet në kundërshtim me ligjin, të dyshimta, për interesa të palës shqiptare. Pa autorizim të Presidentit. Dhe këtë e konfirmon FSHZH dhe kryeministri.

Ose nuk janë kryer fare negociata siç thotë MFE. Ose negociata të paligjshme, ose qeveria miraton një draft-marrëveshje të panegociuar. Të gjitha rrugët të çojnë në shkelje.

Në çdo rast vihet në dyshim mbrojtja e interesave të qytetarëve që paguajnë për çdo hua dhe borxh që merret.

Pse e bllokon Presidenti, sepse ka kërkuar transparencë, ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës. Nuk është puna e Presidentit nëse kryeministri ka harruar apo nuk do të zbatojë Kushtetutën. Presidenti me shkresë të datës 4 janar 2021, për të mos lejuar këtë ka publikuar shkelje flagrante.

Kryeministri do që të autorizohet një marrëveshje e pa negociuar, apo një marrëveshje në shkelje të Kushtetutës.

E kam vënë në dijeni 4 herë si ish- ministër të Jashtëm Edi Ramën, s’kam marrë asnjë përgjigje për të paraqitur këtë shqetësim. Kurse në Vlorë e paska ngritur këtë shqetësim. Do të shohim edhe ku ka probleme të veta. Është e qartë që këtu është shpërdoruar edhe mirëbesimi i palës tjetër.”- tha Meta.

Top Channel