Çfarë ndodhi me Mbretëreshën e Ajrit/ Vdekja misterioze e pilotes heroinë – U qëllua gabimisht? Sa i vërtetë është versioni zyrtar

05/01/2021 17:06

Amy Johnson thërriste për ndihmë, teksa po përpihej nga valët e akullta të grykëderdhjes së Thames-it, në kohën kur një anije shpëtimi përpiqej më kot të merrte situatën nën kontroll.

Ishte 5 janari i vitit 1941, kur pilotja heroinë u lëshua me parashutë në ujërat vdekjeprurëse, fill pasi avioni i saj nuk kishte më karburant. Të paktën kjo është historia zyrtare.  E cilësuar si Mbretëresha e Ajrit, Johnson njihej gjerësisht për fluturimet e saj, duke u shndërruar në gruan e parë që mundi të fluturonte e vetme nga Londra për në Australi.

Dekada pas ndarjes nga jeta të 37-vjeçares që humbi në ujë, dëshmi tronditëse të bëjnë të mendosh se e vërteta u fsheh. I mbërthyer nga ndenja e fajit, një ushtar britanik pranoi 50 vite më vonë se e kishte qëlluan Johnson-in gabimisht, duke e ngatërruar me një bombardues nazist. Ndërkohë, një historian pretendon se anija e shpëtimit nuk ishte gjë tjetër veçse burimi i një fundi jashtëzakonsisht ngjethës.

Çfarë ndodhi vërtet me Amy Johnson-in?

Disa mendojnë se fshehja e rrethanave të vërteta të vdekjes së saj mund të ketë për qëllim mosdëmtimin e moralit të një kombi në kohë lufte. Përgjatë viteve ’30, e reja frymëzoi një brez të tërë grash me fluturimet e saj të pabesueshme në Australi, Japoni si dhe Afrikë të Jugut.

Versioni zyrtar rreth ditës tragjike të ndarjes së saj nga jeta deklaron se teksa moti ishte i keq, Johnson raportoi se nuk kishte më karburant si dhe tejkaloi destinacionin e saj pranë Oxford-it me 100 milje. Një anije tentoi ta shpëtonte, një komandant toger u hodh në ujë, por nuk rezistoi gjatë dhe ndërroi jetë prej temperaturave ekstreme. Sidoqoftë, trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Thuajse 60 vite pas vdekjes së saj tragjike, një rrëfim shokues pretendon se ylli i Transportit Ajror (ATA) u qëllua nga bashkatdhetarët e saj dhe se gabimi fatal u mbulua. Në vitin 1999, një 83-vjeçar i quajtur Tom Mitchell deklaroi se kishte qenë një prej katër ushtarëve që kishin qëlluar në drejtim të saj.

Atyre iu dha urdhri të qëllonin mbi një aeroplan të paidentifikuar që fluturonte drejt Kanalit Anglez. Amy, në mënyrë të përsëritur dështoi të jepte një kod të saktë të ngjyrave, për të provuar se ishte në anën e britanikëve.

“Arsyeja që Amy u qëllua ishte sepse ajo tha ngjyrën e gabuar në radio. Ajo e bëri atë gabim dy herë, dhe kjo është arsyeja pse ne u urdhëruam të qëllonim,” tha Mitchell për “The Guardian” në vitin 1999. “Të nesërmen, kur lexuam për të në gazeta, oficerët na thanë që të heshtim dhe të mos i tregonim kurrë askujt se çfarë ndodhi “.

Nuk ka asnjë mënyrë për të konfirmuar historinë e Mitchell-it, pasi incidenti mund të ketë qenë kaq i fshehtë sa bateria nuk e regjistroi atë. Fatkeqësisht, kohët e fundit është bërë publik një tjetër rrëfim, madje edhe më i tmerrshëm.

Historiani Dr Alec Gill pretendon se trupi i saj u copëtua nga helika e anijes Haslemere, ndërsa po përpiqej ta shpëtonte atë. Ai pretendon se është kontaktuar nga djali i Harry Gould-it, një anëtar i ekuipazhit të Haslemere-s, i cili i tregoi detajet e frikshme.

 

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA